10 Tet Mjetet juridike për emigrantët e ndaluar nuk ishin në përputhje me Konventën
Në rastin Kaak dhe të tjerët kundër Greqisë (kërkesa nr. 34215/16, 03.10.19) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se:
- nuk ka pasur shkelje të Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor dhe degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut;
- nuk ka pasur shkelje të Nenit 5 § 1 (e drejta për liri dhe siguri), dhe
- ka pasur shkelje të Nenit 5 § 4 (e drejta për vendim të shpejtë mbi ligjshmërinë e ndalimit).
Rasti kishte të bënte me kushtet e ndalimit të shtetasve sirianë, afganë dhe palestinezë në “pikat e nxehta” të Vial dhe Souda (Greqi) dhe ligjshmërinë e ndalimit të tyre në ato kampe. Kërkuesit, 49 të rritur, adoleshentë dhe fëmijë me shtetësi siriane, afgane dhe palestineze, hynë në mënyrë të paligjshme në Greqi, duke zbritur në ishullin Chios me varkë midis 20 marsit dhe 15 prillit 2016.
Gjykata konsideroi se autoritetet kishin bërë gjithçka që mund të pritej nga ata në kampin Vial për të përmbushur detyrimin për të siguruar kujdes dhe mbrojtje për të miturit e pashoqëruar. Kërkuesit e tjerë ishin transferuar menjëherë – ose brenda dhjetë ditëve – nga kampi Vial në kampin Souda.
Gjykata gjithashtu konsideroi se kushtet e ndalimit në kampin Souda nuk mund të konsideroheshin se përbënin trajtim çnjerëzor ose degradues. Gjykata përsëriti gjithashtu konstatimin e saj të mëparshëm se periudha e ndalimit prej një muaji në kampin Vial nuk duhet të konsiderohet e tepërt, duke pasur parasysh kohën e nevojshme për të përmbushur formalitetet përkatëse administrative.
Për më tepër, kohëzgjatja e ndalimit të kërkuesve pasi kishin shprehur dëshirën e tyre për të kërkuar azil kishte qenë relativisht e shkurtër. Në anën tjetër, kërkuesit të cilët nuk kishin ndihmë juridike, nuk kishin qenë në gjendje të kuptonin përmbajtjen e broshurës së informacionit; në veçanti, ata nuk ishin në gjendje të kuptojnë materialin që lidhej me mundësitë e ndryshme të apelimit të disponueshme sipas ligjit vendor. Gjykata gjithashtu vuri në dukje se broshura e informacionit në fjalë i referohej në mënyrë të përgjithshme një “gjykate administrative”, pa specifikuar se për cilën gjykatë bëhej fjalë.
Sidoqoftë, në ishullin Chios nuk kishte gjykatë administrative, ku ishin ndaluar kërkuesit dhe më e afërta ishte në ishullin Mytilene. Edhe duke supozuar se mjetet juridike ishin efektive, Gjykata nuk pa se si kërkuesit mund t’i kishin shfrytëzuar ato mjete. Duke marrë parasysh gjetjet e organeve të tjera ndërkombëtare, Gjykata konsideroi se, në rrethanat e këtij rasti mjetet juridike në fjalë nuk ishin të arritshme për kërkuesit. Andaj kishte pasur shkelje të Nenit 5 § 4.
Referenca nga Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut