04 Sht Moslejimi i ndryshimit të gjinisë për shkak të interesit publik nuk ishte në përputhje me Konventën
Në rastin Y.T. kundër Bullgarisë (kërkesa nr. 41701/16, 09.07.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me një transeksual (YT) i cili kishte ndërmarrë hapa për të ndryshuar pamjen e tij fizike dhe kërkesa e të cilit për ndryshimin e gjinisë (femër në mashkull) ishte refuzuar nga gjykatat bullgare. Ai pretendonte se ishte bërë i vetëdijshëm për identitetin e tij gjinor mashkullor gjatë adoleshencës dhe se kishte jetuar në shoqëri si mashkull.
Gjykata gjeti që autoritetet gjyqësore kishin vërtetuar që YT kishte nisur një proces të tranzicionit gjinor, duke ndryshuar pamjen e tij fizike dhe se identiteti i tij shoqëror dhe familjar kishte qenë tashmë i një mashkulli për një kohë të gjatë. Megjithatë, ata kishin konsideruar se interesi publik kërkonte që ndryshimi ligjor i seksit të mos lejohej. Arsyetimi për vendimet e tyre u referohej argumenteve të ndryshme dhe bazohej në tre elemente thelbësore. Gjykatat shprehnin bindjen se ndryshimi i gjinisë nuk ishte i mundur kur individi kishte lindur me karakteristika të kundërta fiziologjike seksuale. Përveç kësaj, ato vlerësonin se aspirata socio-psikologjike e një individi nuk mund të ishte në vetvete e mjaftueshme për të miratuar kërkesën për ndryshimin e gjinisë.
Gjykatat vendase gjithashtu konsideruan në thelb se interesi publik kërkonte që ndryshimi ligjor i seksit të mos lejohej, dhe më pas e kishin refuzuar kërkesën e tij. Por, gjykatat nuk e shpjeguan natyrën e një interesi të tillë publik.
Gjykata e identifikoi këtë si ngurtësi në arsyetimin e gjykatave vendase, të cilat kishin vënë YT – për një periudhë të paarsyeshme dhe të vazhdueshme – në një pozicion shqetësues, në të cilin ai mund të përjetonte ndjenja të cenueshmërisë, poshtërimit dhe ankthit. Refuzimi i autoriteteve vendase për t’i dhënë njohje ligjore ndryshimit të gjinisë së YT, pa dhënë arsye përkatëse dhe të mjaftueshme, dhe pa shpjeguar pse ishte e mundur të njihej ndryshimi identik i gjinisë në raste të tjera, kishte përbërë një ndërhyrje të pajustifikuar në të drejtën e YT për respektimin e jetës së tij private.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut