12 Sht Ndalimi i martesës mes të afërmve pa lidhje gjaku solli shkelje të Konventës
Në rastin Theodorou dhe Tsotsorou kundër Greqisë (kërkesa nr. 57854/15, 05.09.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 12 (e drejta për t’u martuar) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me një vendim gjyqësor që shfuqizonte martesën e z. Tsotsorou dhe znj. Theodorou për shkak se znj. Tsotsorou ishte ish kunata e z. Theodorou. Më 1971 z. Theodorou u martua me P.T. dhe në vitin 2001 martesa u shfuqizua me vendim të Gjykatës Rajonale të Athinës. Në vitin 2004 u lëshua çertifikata e divorcit. Në vitin 2005, z. Theodorou u martua me motrën e P.T. (znj. Tsotsorou) me një ceremoni fetare. Vitin vijues, P.T. u ankua tek Zyra e Prokurorit Publik për këtë martesë, duke kërkuar që ajo të shfuqizohej për shkak të lidhjeve familjare martesore mes dy bashkëshortëve.
Në bazë të Nenit 1357 të Kodit Civil – i cili ndalon në veçanti martesën midis personave me lidhje familjare deri në shkallën e tretë, gjykatat greke e shfuqizuan martesën e kërkuesit, 10 vjet pasi ajo ishte bërë, dhe gjeti se individët në fjalë kishin lidhje familjare të shkallës së dytë. Në vendimin e saj, gjykata theksoi se kërkuesit ishin të afërm të shkallës së dytë sipas prejardhjes familjare, dhe se legjislacioni grek e ndalonte martesën e tyre për arsye të dinjitetit dhe respektimit të institucionit të familjes.
Gjykata vuri në dukje se kishte pasur konsensus mes shteteve anëtare të Këshillit të Europës sa i përket mos ndalimit të martesës së “ish” kunatave dhe kunetërve. Vetëm dy prej shteteve anëtare kishin parashikuar ndalimin e kësaj martese, por dhe në ato raste ndalimi nuk ishte absolut.
Gjykata gjithashtu gjeti se kërkuesit nuk kishin hasur ndonjë pengesë para se të martoheshin dhe se autoritetet vendore nuk kishin ngritur shqetësime.
Sa i përket argumenteve të Qeverisë në lidhje me “aspektet biologjike” dhe rrezikun e konfuzionit, Gjykata vuri në pah se ato probleme nuk ishin paraqitur në rastin konkret. Nuk ishte e qartë se cilat ishin këto aspekte biologjike, apo rreziku praktik i konfuzionit që e ndalonte martesën e kërkuesve, duke qenë se ata nuk kishin lidhje gjaku dhe nuk kishin pasur fëmijë bashkë. Për më tepër, sa i përket argumentit të Qeverisë se ekzistonte nevoja sociale për komunikim midis anëtarëve të famijes dhe botës së jashtme, Gjykata vërejti se Qeveria nuk kishte saktësuar se si ndalimi në fjalë, mund t’i ndihmonte apo t’i shërbente një komunikimi të tillë.
Prandaj, Gjykata gjeti se shfuqizimi i martesës së kërkuesve kishte kufizuar në mënyrë joproporcionale të drejtën e tyre për martesë, në atë masë sa ishte prekur vetë thelbi i kësaj të drejte.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut