26 Kor Ndjekja penale dhe vendosja e ndalimit të ngasjes në pikat e dënimit nuk përbëjnë dënim të dyfishtë
Në vendimin e saj në rastin Matijašić kundër Kroacisë (kërkesa nr. 38771/15, 07.01.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka shpallur njëzëri të papranueshme kërkesën.
Në vitin 2013 dhe 2014 në zonën e Istrias, kërkuesit iu dha një gjobë e tejkalimit të shpejtësisë me procedurat e kundërvajtjes dhe tre pika dënimi iu shtuan lejes së tij në tre raste të veçanta. Më 6 gusht 2014 policia në Istria e ndaloi atë të drejtonte të gjitha automjetet për shkak të pikëve të dënimit që kishte mbledhur.
Duke u bazuar në Nenin 4 të Protokollit Nr. 7 (e drejta për të mos u gjykuar ose ndëshkuar dy herë), kërkuesi u ankua se ndjekja penale dhe ndëshkimi i tij për shkelje të vogla të trafikut rrugor, dhe zbatimi pasues i një ndalimi të ngasjes për shkak të të njëjtave vepra, kishin shkelur Konventën.
Gjykata vuri në dukje në fillim se rasti kishte të bënte me një situatë në të cilën ndalimi i drejtimit i ishte vendosur kërkuesit si rezultat i faktit që ai kishte mbledhur një numër të caktuar të pikëve të dënimit për shkeljet e trafikut që kishte kryer gjatë një periudhe kohore dhe prandaj duhej
dalluar nga rastet e mëparshme që kishte shqyrtuar në të cilat ishte shqiptuar ndalimi i ngasjes si pjesë e dënimit për një vepër të veçantë të trafikut rrugor.
Qeveria argumentoi se ndalimi i ngasjes që i ishte vendosur kërkuesit si rezultat i pikëve të dënimit të mbledhura nuk mund të konsiderohej “kriminale” në natyrë. Sipas ligjit vendor përkatës, ndalimi i drejtimit të automjetit sipas nenit 286 (6) të Ligjit për Sigurinë e Trafikut Rrugor u klasifikua si masë parandaluese administrative, e dallueshme nga çdo dënim që mund të zbatohet në procedurat penale ose të kundërvajtjeve. Duke vënë në pah se një numër vendesh zbatonin një sistem të pikave të ndëshkimit në trafik, dhe se praktika gjyqësore e Gjykatës theksonte rëndësinë e vendosjes së një kornize legjislative dhe administrative të krijuar për të siguruar parandalim efektiv ndaj kërcënimeve për të drejtën e jetës në kontekstin e trafiku rrugor, Gjykata ishte e kënaqur se qëllimi kryesor i ndalimit të ngasjes kishte qenë parandalimi, për të garantuar sigurinë e trafikut rrugor.
Së këndejmi, z. Matijašić nuk i ishte nënshtruar një kallëzimi penal kur policia kishte zbatuar ndalimin e ngasjes për shkak të pikëve të tij të akumuluara të ndëshkimit sipas nenit 286 (6) të Ligjit të Sigurisë së Trafikut Rrugor. Prandaj, Gjykata arriti në përfundimin se Neni 4 i Protokollit Nr. 7 nuk aplikohej në rastin e tij dhe e refuzoi kërkesën e tij si të papranueshme.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut