Nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 në revokimin e lejes së qëndrimit të përhershëm për shkak të dënimit për trafikim të drogës

Në rastin Veljkovic-Jukic kundër Zvicrës (kërkesa nr. 59534/14, 21.07.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me revokimin e lejes së qëndrimit të përhershëm të një shtetaseje kroate e cila ka jetuar në Zvicër që nga mosha 14-vjeçare, për shkak të dënimit të saj penal për trafikim droge dhe largimin e saj të mundshëm nga Zvicra. 

Gjykata vlerësoi se vendimi për të revokuar lejen e qëndrimit të përhershëm të kërkueses dhe për të urdhëruar largimin e saj nga Zvicra përbënte ndërhyrje në të drejtën e saj për të respektuar jetën e saj “private” dhe “familjare”, duke pasur parasysh periudhën shumë të gjatë që ajo kishte qenë rezidente në Zvicër dhe faktin që ajo jetonte atje me burrin dhe fëmijët e saj. Ndërhyrja kishte qenë në përputhje me Ligjin Federal për të Huajt dhe ndoqi një qëllim të ligjshëm: parandalimin e trazirave ose krimit. Se a ishte e nevojshme kjo masë në një shoqëri demokratike, Gjykata vuri në dukje sa vijon.

Gjykata gjeti gjithashtu se Zvicra nuk e kishte tejkaluar margjinën e vlerësimit që i jepej asaj, veçanërisht duke pasur parasysh seriozitetin e dënimit të saj për një vepër të lidhur me drogën dhe faktin që kërkuesja dhe anëtarët e familjes së saj mund të integroheshin pa vështirësi të mëdha në një nga destinacionet e propozuara nga Gjykata e Lartë Federale: Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci ose Serbi. 

Gjykata vuri në dukje se kërkueses i ishte refuzuar hyrja në territorin zvicran për një periudhë prej shtatë vjetësh (deri më 30 gusht 2021) dhe se Akti Federal për të Huajt i mundësoi asaj të kërkonte pezullim të përkohshëm të këtij urdhri përjashtimi në mënyrë që ajo të mund të vizitonte familjen e saj në Zvicër

Si rrjedhojë, duke pasur parasysh veçanërisht seriozitetin e dënimit të zonjës Veljkovic-Jukic për një vepër të lidhur me drogën dhe faktin që ajo dhe anëtarët e familjes së saj mund të integroheshin pa vështirësi të mëdha në një nga vendet e destinacionit të propozuara nga Gjykata Supreme Federale (Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci ose Serbi), Gjykata konsideroi se Zvicra nuk e kishte tejkaluar margjinën e vlerësimit të ofruar për të. Nuk kishte pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës. 

Por, Gjykata e konsideroi të dëshirueshme që autoritetet vendore të vlerësonin sërish situatën e zonjës Veljkovic-Jukic në dritën e zhvillimeve që nga vendimi i Gjykatës së Lartë Federale përpara se të vendoste nëse do të zbatonte masën, duke pasur parasysh veçanërisht sjelljen e saj gjatë gjithë procedurave dhe mundësisë, në dispozicion të saj, së aplikimit për një leje të re qëndrimi (Neni 43 i Aktit Federal për të Huajt).

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut