Obligimi i bartjes së maskës si masë kundër Covid-19: Kërkesa e papranueshme

Në rastin Makovetskyy kundër Ukrainës (kërkesa nr. 50824/21, 15.09.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka shpalluar njëzëri kërkesën të papranueshme. 

Rasti kishte të bënte me procedurat administrativo-penale kundër z. Makovetskyy për shkak të refuzimit të tij për bartjen e maskës në një supermarket, edhe pse një gjë e tillë ishte e detyrueshme si pjesë e masave për të parandaluar përhapjen e sëmundjes Covid-19. Kërkuesi u ndëshkua me 170 hryvnia (rreth 4.90 euro) për shkeljen e rregullloreve të koronavirusit. Duke u mbështetur në Nenin 6 (e drejta për gjykim të drejtë) dhe Nenin 7 (nuk ka ndëshkim pa ligj), z. Makovetskyy u ankua se vendimet e gjykatave ishin arbitrare, se polici nuk kishte qenë “tribunal i themeluar me ligj”.

Gjykata ishte e përgatitur të pranonte se kërkuesi mund të ketë përjetuar “disavantazh të konsiderueshëm” në parim, përkundër shkallës relativisht të ulët të gjobës. Ajo ripërsëriti se nuk ishte instanca e katërt e cila do të rishqyrtonte vendimet e gjykatave vendore.

Sa i përket Nenit 6, Gjykata gjeti se nuk ekzistonte asgjë për të nënkuptuar se gjykatat vendore kishin vepruar në mënyrë arbitrare. Argumentet e kërkuesit në lidhje me ligjshmërinë e kufizimeve ishin shqyrtuar dhe hedhur poshtë. Sa i përket gjobës së shqiptuar nga polici, Gjykata ritheksoi se në përputhje me praktikën e saj gjyqësore, organet administrative që shqiptojnë gjoba mund të jenë në linjë me Konventën me kusht që ato të jenë “subjekt i kontrollit të mëvonshëm nga një trup gjyqësor i cili ka jurisdiksion të plotë dhe ofron garancitë e Nenit 6 § 1″. Kështu edhe ishte rasti në fjalë. Andaj, Gjykata i refuzoi këto argumente si qartazi të pabazuara.

Për sa i takon Nenit 7, Gjykata vuri re se gjoba ishte e papërfillshme, dhe dështimi i pagesës së saj mund të mos çonte në kufizimin e lirisë. Nuk ka pasur “kallëzim penal”. Andaj, Gjykata erdhi në përfundim se Neni 7 nuk ishte i zbatueshëm në situatën e kërkuesit dhe e refuzoi këtë pjesë të kërkesës gjithashtu.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut