Raporti i misionit zbulues të fakteve të Këshillit të Europës mbi emigrimin dhe refugjatët në Bosnjë dhe Hercegovinë

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm për Emigrimin dhe Refugjatët, Ambasadori Drahoslav Štefánek publikoi një raport mbi misionin e tij zbulues të fakteve në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Qëllimi i misionit ishte të siguronte një pasqyrë të situatës aktuale të emigrantëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve në Bosnjë dhe Hercegovinë me një fokus te personat e pambrojtur, përfshirë familjet me fëmijë, fëmijët dhe gratë e pashoqëruara dhe të ndara. Raporti është përqëndruar në aspektet që kanë ndikim të madh në respektimin e të drejtave të njeriut të emigrantëve dhe refugjatëve, përkatësisht: kushtet e pritjes, trajtimi i kategorive të prekshme dhe qasja në azil.

Ndër gjetjet, Përfaqësuesi Special rekomandon mbështetjen e autoriteteve për të zhvilluar dhe zbatuar një politikë kombëtare të aftë për të strukturuar dhe bashkërenduar përgjigjen institucionale të vendit ndaj fenomeneve emigruese, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare. Ai rekomandon gjithashtu përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të nevojshme, përfshirë akomodimin, furnizimin me ushqim dhe mbështetjen në parandalimin e COVID-19, strehimin e përshtatur për fëmijët e pashoqëruar dhe të ndarë dhe masat e përgjigjes midis emigrantëve dhe azilkërkuesve – në veçanti në kantonin Una-Sana – përmes mbështetjes financiare nga Banka e Zhvillimit e Këshillit të Europës, kërkuar nga autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Gjatë misionit, Bosnje dhe Herzegovina u përball me rreth 9,000 – 10,000 emigrantë të pranishëm herë pas here në vend, kryesisht të përqendruar në pjesën veri-perëndimore afër kufirit me Kroacinë. Është vlerësuar se rreth 4,000 – 5,300 emigrantë synojnë të kalojnë në BE. Në të njëjtën kohë, kapaciteti zyrtar për akomodim në Bosnjë dhe Hercegovinë ishte zvogëluar pas mbylljes së qendrës së përkohshme të pritjes Bira dhe Kampit të Urgjencës Lipa, strehimi shtesë u sigurua në qendrat e pritjes në Miral dhe Blažuj për më shumë se 1,000, gjegjësisht 3,000 personat shtesë. Këto qendra tashmë ishin të mbingarkuara dhe rreziqet e mbrojtjes dhe shëndetit të emigrantëve dhe azilkërkuesve që banojnë në këto qendra u përkeqësuan për shkak të mbingarkesës, veçanërisht duke marrë parasysh pandeminë COVID-19

Ky raport pasqyron informatat e mbledhura gjatë misionit nga 24 në 30 janar 2021 dhe në javët në vijim. Përfaqësuesi Special vizitoi ambientet e pritjes Miral, Sedra, Borici, Kampin Emergjent Lipa në kantonin Una-Sana, si dhe Qendrën e Pritjes së Përkohshme Ušivak në kantonin e Sarajevës. Raporti bazohet në konkluzionet dhe rekomandimet kryesore të formuluara në raportin e hartuar nga ish-PSSP-ja mbi Emigrimin dhe Refugjatët, i cili u botua në prill 2019.

Këtu mund të lexoni raportin e plotë: https://rm.coe.int/report-of-the-fact-finding-mission-by-ambassador-drahoslav-stefanek/1680a2fd03

Referencat nga faqja zyrtare e Këshillit të Europës