Raporti mbi Luftën kundër urrejtjes së rritur ndaj personave LGBTI në Evropë

Komisioni për Barazinë dhe Mosdiskriminimin i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës publikoi një raport të fuqishëm nga deputeti Fourat Ben Chikha (Belgjikë, SOC) duke denoncuar rritjen e urrejtjes kundër personave LGBTI dhe duke i sulmuar narrativat antigjinore që tkurrin luftën për të drejtat e njeriut dhe barazinë brenda një ‘ideologjie’.

Kur miratoi raportin më 15 shtator, komisioni dënoi fuqishëm “sulmet e përhapura dhe shpesh helmuese ndaj të drejtave të personave LGBTI për disa vite” në Hungari, Poloni, Federatën Ruse, Turqi dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar se përparimet e rëndësishme të arritura vitet e fundit sot janë në rrezik. Ai shprehu shqetësimin për rritjen e gjuhës së urrejtjes, dhunës dhe krimeve të urrejtjes kundër personave LGBTI në shtetet anëtare të Këshillit të Europës. “Viktimizimi dhe shkeljet e të drejtave civile të personave LGBTI vijnë në një masë të madhe nga figurat politike, duke përfshirë përfaqësuesit e qeverisë, si dhe udhëheqësit fetarë”, paralajmëruan parlamentarët. Parlamentarët shprehën keqardhjen gjithashtu për narrativat antigjinore, të cilat e tkurrin luftën për barazinë e personave LGBTI në diçka që disa lëvizje konservatore qëllimisht e keqkarakterizojnë si “ideologji gjinore” ose “ideologji LGBTI”.

Në këtë kontekst, komisioni u bëri thirrje shteteve anëtare që të mos miratojnë legjislacion që bie ndesh me të drejtat e personave LGBTI dhe të shfuqizojnë ato që tashmë janë në fuqi, duke përfshirë ligjet e “propagandës anti-LGBTI”. Komisioni u bëri thirrje shteteve përkatëse që të zbatojnë vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në të cilat janë konstatuar shkelje të të drejtave të personave LGBTI. Sipas tekstit të miratuar, shtetet duhet gjithashtu të forcojnë kornizën e tyre ligjore dhe të vendosin masa efektive të kodit penal.

Së fundi, komisioni konsideron se ndryshimet e paradigmës në kuptimet sociale dhe kulturore të barazisë gjinore, maskuliniteteve të dëmshme dhe të drejtave të personave LGBTI ishin ende të nevojshme. Prandaj, u bëri thirrje shteteve të zhvillojnë fushata të shpeshta për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe të krijojnë një rrjet parlamentar për të lehtësuar bashkëpunimin me dhe ndërmjet parlamenteve vendore për këtë çështje.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë:

https://assembly.coe.int/LifeRay/EGA/Pdf/TextesProvisoires/2021/20210921-RisingHateLGBTI-EN.pdf

Referencat nga faqja zyrtare e Këshillit të Europës