Rikthehet vepra penale e shpifjes në kodin penal të Republika Srpskas

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro dhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, Ambasadori Brian Aggeler, kanë bërë deklaratën në vijim pas vendimit të qeverisë së entitetit të BeH-së Republika Srpska (RS) për të ecur përpara me rivendosjen e veprës penale të shpifjes në Kodin Penal të RS-së:

“Në vitin 2001, Bosnja dhe Hercegovina ishte vendi i parë në rajon që dekriminalizoi shpifjen në tërë territorin e saj.  Në këtë kontekst, ne e shohim këtë si një hap prapa në një mjedis tashmë të brishtë të lirisë së medias në entitetin RS ku vetëm një pjesë e vogël e mediave të lira dhe të pavarura veprojnë sot”.

“Ky zhvillim shqetësues po merr hov pavarësisht garancive të fundit nga Ministria e Drejtësisë e RS-së se Qeveria nuk po synonte të punonte për ndryshimet në Kodin Penal të RS-së siç u njoftua fillimisht nga Presidenti i RS-së Milorad Dodik në fund të vitit 2022”.

“Ne do ta monitorojmë nga afër këtë situatë në përputhje me mandatet tona. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të jemi në dispozicion për dialog konstruktiv dhe udhëzime me të gjithë hisedarët. Autoritetet e RS-së kanë përgjegjësi të sigurojnë një debat publik gjithëpërfshirës, konstruktiv dhe transparent mbi çdo ndryshim që mund të ndikojë në lirinë e mediave në entitet”.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias monitoron zhvillimet e mediave në të 57 shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ajo ofron paralajmërime të hershme për shkeljet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave dhe promovon respektimin e plotë të angazhimeve të OSBE-së për lirinë e mediave.

Referencat nga faqja zyrtare e OSBE-së