30 Pri Shfuqizimi i vendimit gjyqësor përfundimtar dhe të detyrueshëm nuk çoi në shkelje të parimit të qartësisë juridike
Në rastin Elisei-Uzun and Andonie kundër Rumanisë (kërkesa nr. 42447/10, 23/04/2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se:
- ka pasur shkelje të Nenit 6, paragrafi 1, në lidhje me të drejtën për akses në gjykatë;
- nuk ka pasur shkelje të Nenit 6, paragrafi 1, lidhur me shfuqizimin e vendimit të plotfuqishëm dhe të pjesshëm; dhe
- nuk ka pasur shkelje të Nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me aksesin në gjykatë për të parashtruar ankesë lidhur me trajtimin e supozuar diskriminues. Kërkuesit, z. Elisei-Uzun dhe z. Andonie, iu drejtuan Gjykatës së Qarkut në Mureş për të kërkuar kompensim të barazvlefshëm me “bonusin e besnikërisë” (spor de fidelitate) i cili, sipas mendimit të tyre, u takonte me rrogën e tyre që nga dhjetori i vitit 2004. Ata u ankuan se megjithëse i kishin plotësuar të gjitha kushtet njëlloj si stafi gjyqësor dhe jogjyqësor të cilët e kishin marrë bonusin e besnikërisë, ata ishin përjashtuar nga gëzimi i kësaj të drejte përmes dispozitave ligjore.
Ata u ankuan kundër punëdhënësit të tyre, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Në shkurt të vitit 2008, Gjykata e Qarkut pranoi kërkesën e tyre dhe urdhëroi që kërkuesve t’u paguhej kompensimi për shkak të diskriminimit. Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Ekonomisë dhe Financave u ankuan, por vendimi përfundimtar i Gjykatës së Apelit në maj të vitit 2008 e hodhi poshtë ankesën. Ajo konsideroi se kërkuesit kishin provuar se ishin diskriminuar. Gjykata u mbështet në ligjet që rregullonin “bonuset e konfidencialitetit” (spor de confidenţialitate). Nga ana tjetër, autoritetet i paguan secilin prej kërkuesve 30% të kompensimit të parashikuar.
Në nëntor të vitit 2008, kërkuesit parashtruan një kërkesë për ndreqjen e gabimeve materiale në vendimin e Gjykatës së Apelit. Ata kërkuan që fjala “konfidencialitet” të zëvendësohej me fjalën “besnikëri”. Gjykata e Apelit e pranoi kërkesën, duke qenë se përdorimi i termit “bonusi i konfidencialitetit” ishte pasojë e gabimit teknik dhe nuk kishte të bënte me arsyetimin e vendimit. Ministria e Drejtësisë parashtroi një ankesë të jashtëzakonshme ndaj vendimit përfundimtar të majit të vitit 2008. Ajo vuri në dukje se tema e kontestit nuk ishte bonusi i konfidencialitetit, por bonusi i besnikërisë.
Në tetor të vitit 2009, Gjykata e Apelit e pranoi ankesën e jashtëzakonshme dhe shfuqizoi vendimin përfundimtar. Ajo gjeti se tema e kontestit ishte përcaktuar gabimisht si e drejta për bonus të konfidencialitetit. Ky nuk mund të konsiderohej gabim i thjeshtë material. Ajo gjithashtu gjeti se Gjykata Kushtetuese i kishte deklaruar dispozitat relevante të Urdhëresës së Qeverisë nr. 137/2000 për parandalimin dhe dënimin e të gjitha formave të diskriminimit si jokushtetuese, dhe arriti në përfundimin se nuk kishte bazë ligjore për ta mbrojtur veprimin e kërkuesve.
Duke u bazuar në Nenin 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Nenin 1 të Protokollit Nr. 1 (mbrojtja e pronës) të Konventës, kërkuesit u ankuan se vendimi i Gjykatës së Apelit i tetori të vitit 2009 kishte shkelur parimin e qartësisë ligjore duke anashkaluar një vendim përfundimtar dhe të plotë i cili, ndër të tjera, edhe ishte zbatuar pjesërisht. Më tej ata u ankuan, në veçanti, se të drejtat e tyre sipas nenit 6 § 1 ishin shkelur pasi Gjykata e Apelit në këtë vendim e kishte hedhur poshtë veprimin e tyre pa u dhënë mundësinë për të paraqitur rastin e tyre.
Gjykata vlerëson se veprimi i ankuesve kishte të bënte me bonuset e besnikërisë dhe, përderisa vendimi i Gjykatës së Qarkut i 14 shkurtit 2008 kishte vendosur lidhur me atë kërkesë, Gjykata e Apelit, në vendimin e saj përfundimtar, i referohej “bonusit të konfidencialitetit”. Në këtë kontekst, Gjykata i konsideroi të vlefshme arsyetimet e parashtruara nga autoritetet vendore, se vendimi përfundimtar ishte anuluar për shkak se Gjykata e Apelit kishte dështuar t’i shqyrtonte argumentet e paraqitura përpara saj nga palët. Gjykata më tej vëren se procedurat e jashtëzakonshme të apelimit nuk zgjatën shumë: kërkesa është parashtruar më 20 nëntor 2008 dhe vendimi është marrë më 14 tetor 2009. Rrjedhimisht, nuk ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës në këtë pikë.
Gjykata gjithashtu konsideron se rrethanat e veçanta të këtij rasti mund të konsiderohen si baza të jashtëzakonshme që arsyetojnë shfuqizimin e vendimit përfundimtar të 30 majit të vitit 2008, dhe refuzimin e kërkesës së ankuesve për kompensim. Gjykata konstaton se gjykatat vendore kanë arritur një ekuilibër të drejtë midis të drejtave të ankuesit për mbrojtjen e pronës dhe interesit të përgjithshëm për korrigjimin e gabimeve të drejtësisë penale. Rrjedhimisht, nuk ka pasur shkelje të Nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës.
Gjykata konsideroi se Gjykata e Apelit në vendimin e saj përfundimtar e hodhi poshtë kërkesën e ankuesve pa u lejuar atyre mundësinë për të paraqitur rastin e tyre dhe pa dhënë arsye të mjaftueshme për të hedhur poshtë kërkesën e tyre. Në këtë mënyrë ajo ka shkelur të drejtën e kërkuesve për gjykim të drejtë. Rrjedhimisht, ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës.
Referencat nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut