Shkelja e Konventës duke hequr de facto mundësinë e rishqyrtimit të dënimit me burgim të përjetshëm

Në rastin Sandor Varga dhe të tjerët kundër Hungarisë (kërkesat nr. 39734/15, 35530/16,
dhe 26804/18) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur shkelje të Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.


Rastet kanë të bëjnë me dënimet e kërkuesve me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht.
Kërkuesi i parë u dënua për vrasjen me paramendim për përfitime financiare të katër personave dhe
një numër grabitjesh të armatosura të kryera në një organizatë kriminale. Dënimet e kërkuesit të dytë dhe të tretë
ishin për vrasjen me paramendim të gjashtë personave, të kryer me mizori të madhe me motive raciste dhe në një organizatë kriminale, dhe për një sërë krimesh të ngjashme (grabitje me armë dhe vepra me armë të zjarrit). Kërkuesi i katërt u dënua për tentativën e vrasjes së disa njerëzve, për përfitime financiare dhe u krye me mizori të madhe, si
dhe për disa raste të grabitjeve dhe sulmeve. 


Kërkuesit pretendonin se atyre u ishte hequr de facto mundësia reale për të rifituar lirinë e tyre, edhe nëse ndryshimet në legjislacion të bëra pas vendimit të Gjykatës në László Magyar kundër Hungarisë (nr. 73593/10, 20 maj 2014) kishin futur një procedurë të detyrueshme faljeje pasi një person i dënuar kishte vuajtur dyzet vjet. Ata konsideronin se procedura e faljes nuk përbënte garanci të mjaftueshme për uljen e dënimit të tyre, së pari, sepse ishte e zbatueshme vetëm pasi të ishin vuajtur dyzet vjet nga dënimi, periudhë kjo që doli jashtë standardeve të Gjykatës dhe, së dyti, sepse ishte vendim thjesht diskretiv, që nuk plotësonte kërkesat e objektivitetit dhe parashikueshmërisë.

Gjykata arriti në përfundimin se legjislacioni i ri hungarez nuk ofronte reduktim de fakto të të gjithë dënimeve të përjetshme të kërkuesve. Ky faktor, bashkë me mungesën e masave të mjaftueshme mbrojtëse në pjesën e dytë të procedurës, siç parashikohet nga legjislacioni i ri, e bëri Gjykatën të konstatojë shkelje të Nenit 3 të Konventës.

Gjykata gjen se argumentet e ngritura nga Qeveria janë të ngjashme me ato që tashmë janë shqyrtuar dhe refuzuar në T.P. dhe A.T. kundër Hungarisë. Qeveria nuk ka paraqitur ndonjë rrethanë të re që do ta bënte Gjykatën të tërhiqej nga gjetjet e saj të mëparshme se të gjitha dënimet e përjetshme të kërkuesve nuk mund të konsiderohen të reduktueshme për qëllimet e Nenit 3 të Konventës. Andaj, ka pasur shkelje të asaj dispozite.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut