Shkelja e parimit ne bis in idem

Në rastin Mihalache kundër Rumanisë (kërkesa nr. 54012/10) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7 (e drejta për të mos u gjykuar apo ndëshkuar dy herë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë rast, kërkuesi z. Mihalache thoshte se ai ishte ndjekur penalisht dy herë pasi nuk pranoi t’i nështrohej testit të gjakut në kuadër të një kontrolli policor me qëllim të përcaktimit të nivelit të alkoolit në gjak. 

Në maj 2008 z. Mihalache u ndalua me makinën e tij nga policia si masë parandaluese kontrolli. Ai iu nënshtrua një testi të alkooolit, i cili doli pozitiv. Policët më pas i kërkuan t’i shoqëronte në një spital për t’i bërë test të gjakut, por z. Mihalache refuzoi.

Në korrik 2008 prokuroria nisi procedurë penale kundër tij për refuzimin e testit biologjik për të përcaktuar nivelin e alkoolit në gjak. Më 7 gusht 2008 prokuroria ndërpreu procedurat me arsyetimin se veprimet e kryera nuk ishin aq serioze për të përbërë vepër penale. Por, ajo e urdhëroi z. Mihalache të paguante një gjobë administrative rreth 250 euro. Asnjë ankesë nuk u dorëzua kundër këtij urdhri dhe z. Mihalache pagoi gjobën, së bashku me tarifat gjyqësore. Në janar 2009 prokuroria e rangut më të lartë vendosi, ex officio, ta shfuqizonte urdhrin e 7 gushtit 2008 me arsyetimin se dënimi administrativ nuk ishte i përshtatshëm në dritën e shkallës së rrezikut të përgjithshëm dhe specifik për shoqërinë, të paraqitur nga faktet e këtij rasti. Kështu, rasti u kthye në zyrën e prokurorit me qëllim të vazhdimit të hetimit penal.

Duke u bazuar në Nenin 4 të Protokollit Nr. 7 (e drejta për të mos u gjykuar apo ndëshkuar dy herë), kërkuesi u ankua se po gjykohej dhe dënohej dy herë për të njëjtën vepër.

Gjykata konstatoi se z. Mihalache ishte ndjekur penalisht dy herë për të njëjtën vepër, duke shkelur parimin ne bis in idem, dhe se rihapja e procedurave nuk ishte e arsyeshme. 

  1. Mihalache iu nënshtrua një sërë procedurash penale fillestare, gjatë të cilave prokuroria i kishte shqiptuar një gjobë administrative, e cila u bë e formës së prerë me skadimin e afatit të përcaktuar sipas Nenit 2491 të Kodit të Procedurës Penale. Më pas, zyra e prokurorit më të lartë shfuqizoi vendimin e prokurorit tjetër dhe e ftoi z. Mihalache për gjykim. Ai u dënua me një vit burgim me kusht.

Duke pasur parasysh se nuk është parë asnjë situatë që lejon kombinimin apo rihapjen e procedurave për rastin në fjalë, Gjykata konkludoi se z. Mihalache ishte gjykuar dy herë për të njëjtën vepër, duke shkelur parimin ne bis in idem. Rrjedhimisht, ka pasur shkelje të Nenit 4 të Protokollit Nr. 7 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut