Shkelja e së drejtës për jetë private për shkak të pamundësisë së njohjes së atësisë

Në rastin Koychev kundër Bullgarisë (kërkesa nr. 32495/15, 13.10.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Në këtë rast, kërkuesi pretendoi të ishte babai biologjik i një fëmije të lindur jashtë martese dhe u ankua për faktin se veprimet e tij për të njohur atësinë ishin refuzuar me arsyetimin se fëmija ishte njohur nga një burrë tjetër, bashkëshorti i ri i nënës. 

Gjykata gjeti se z. Koychev kishte provuar pa sukses të njihej si babai biologjik i fëmijës, në veçanti duke paraqitur një deklaratë të noterizuar që njeh atësinë, duke sjellë disa grupe të procedurave gjyqësore dhe duke kontaktuar zyrën e prokurorit dhe shërbimet e mirëqenies sociale. 

Për sa u takon arsyeve të paraqitura nga autoritetet vendore, Gjykata vuri në dukje se arsyetimi i miratuar nga Gjykata Supreme e Kasacionit dhe departamenti i mirëqenies sociale në çështjen aktuale (domethënë rreziku i prishjes së ekuilibrit emocional dhe familjar të fëmijës, dhe mungesa e vullnetit të z. Koychev për njohjen e atësisë) dhe qëllimi i parashikuar me legjislacionin vendor (domethënë ai i prioritetizimit të marrëdhënieve legale prind-fëmijë që korrespondonin me realitetin shoqëror dhe familjar), në parim, mund të justifikonin një kufizim të mundësisë të caktimit të atësisë biologjike.

Por, Gjykata vendosi se megjithëse gjykatat dhe autoritetet vendore, në vendimet e tyre kishin paraqitur disa arsye të cilat, sipas tyre, justifikuan refuzimin për të lejuar z. Koychev të përcaktonte atësinë e tij, procesi i vendimmarrjes me të cilin ishin nxjerrë ato vendime nuk kishte garantuar mbrojtjen e duhur të interesave të kërkuesit dhe nuk kishte lejuar vlerësim të hollësishëm të fakteve ose peshim të interesave të ndryshëm në fjalë. 

Kërkuesi ishte njoftuar në lidhje me refuzimin e departamentit të mirëqenies sociale vetëm përmes letrave të zakonshme, dhe jo përmes një vendimi të arsyeshëm që mund të ishte apeluar në gjykata. Në të vërtetë, legjislacioni në fuqi thoshte se, për të vendosur nëse duhet të ushtronte të drejtën për të kundërshtuar në gjykatë njohjen e atësisë, departamenti i mirëqenies sociale duhej të kishte parasysh interesat më të mira të fëmijës, por nuk kërkohej të merreshin parasysh interesat e ndryshme në fjalë, veçanërisht ato të babait të pretenduar biologjik. Pa dyshim, kërkuesi kishte qenë në gjendje të paraqiste padi para gjykatave civile, duke sfiduar njohjen, dhe kishte qenë në gjendje të paraqiste çështjen e tij në procedurat kundërshtuese. Por, gjykatat vendore nuk dukej se kishin kryer një ekzaminim të hollësishëm të situatës duke dëgjuar palët e përfshira, dhe veçanërisht duke marrë në pyetje fëmijën. Më konkretisht, Gjykata Supreme e Kasacionit, në vendimin e saj të 11 prillit 2016, ishte mbështetur në konkluzionet e departamentit të mirëqenies sociale, të vjetra rreth dy vjet, që ishin përpiluar në procedura që nuk ofronin garanci të mjaftueshme në lidhje me atë të interesave të kërkuesit.

Pavarësisht marzhit të gjerë të vlerësimit që gëzonte shteti në çështje të tilla, e drejta e z. Koychev për të respektuar jetën e tij private nuk ishte respektuar. Andaj, ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut