Shkelje e Nenit 10 për shkak të dënimit për shpifje

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Toranzo Gómez kundër Spanjës (kërkesa nr. 26922/14, 20.11.2018). Rasti kishte të bënte me kërkuesin i cili u shpall fajtor për shpifje pasi e akuzoi policinë për ushtrim torture.

Kërkuesi, pjesëtar i një grupi aktivist, kishte pushtuar një qendër sociale. Z. Toranzo Gómez dhe një protestues tjetër ishin ngjitur nëpër dyshemenë e tunelit të cilin e kishin ndërtuar në pjesën e poshtme të ndërtesës nga ku nuk kanë mundur të lëvizin. Policia e lidhi me litar belin e z. Toranzo Gómez dhe provoi ta tërhiqte dhe pasi nuk pati sukses i lidhi të dy protestuesit që të mos lëviznin.

Në konferencën për media në dhjetor kërkuesi i cilësoi këto veprime të policisë si torturë. Z. Toranzo Gómez u akuzua për shpifje ndaj zyrtarëve të policisë dhe në korrik 2011 ai u shpall fajtor dhe u gjobit.

Kërkuesi u ankua ndaj vendimeve të gjykatave vendore që e kishin shpallur fajtor për shpifje dhe se kjo binte ndesh me të drejtat e tij të garantuara me Nenin 10 (liria e shprehjes).

Gjykata duhej të balanconte të drejtat e ankuesit sipas nenit 10 me ato të punonjësve të policisë sipas nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare). Gjykata në veçanti konstatoi se kërkuesi mund të ketë përjetuar vuajtje dhe tronditje kur policia përdori litar për ta nxjerrë jashtë tunelit gjatë protestës së tij në këtë qendër sociale. Megjithatë, gjykatat kishin zbatuar një përkufizim ligjor tepër të rreptë në deklaratën e tij të torturës, të cilën ai e kishte menduar në një kuptim bisedimor si forcë e tepruar. Ai gjithashtu ishte gjobitur dhe ishte kërcënuar me burgim nëse nuk e paguante gjobën, gjë që mund të ketë efekt negativ në lirinë e shprehjes. Prandaj kishte pasur shkelje të së drejtës së kërkuesit sipas Nenit 10.

Referencat nga uebfaqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut