23 Jan Shkelje e Nenit 8 për shkak të procedurës së komplikuar dhe të zgjatur të regjistrimit të ndryshimit të gjinisë në çertifikatën e lindjes
Neni 8 , e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, transgjinor, Maqedoni
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur shkelje të Nenit 8 për shkak të mungesës së një kornize rregulluese që siguron të drejtën e respektimit të jetës private të kërkuesit në rastin X kundër ‘ish-Republikës Jugoslave të Maqedonisë’ (kërkesa nr. 29683/16, 17.01.2019).
Rasti kishte të bënte me procedurat administrative në të cilat kërkuesi, i cili është transgjinor, ka kërkuar të ndryshojë gjininë/seksin në çertifikatën e lindjes.
Në lindje X u regjistrua si vajzë, me emër të qartë femre. Nga mosha e hershme X u bë i vetëdijshëm se ishte mashkull e jo femër. Në vitin 2010 X shkoi në një klinikë të specializuar në Beograd, ku një psikolog dhe një seksolog e diagnostikuan me “transseksualitet”.
Në qershor 2011 X aplikoi për ndryshim të emrit dhe të mbiemrit. Ministria e Punëve të Brendshme e lejoi aplikimin, duke e regjistruar kërkuesin me emër të qartë mashkulli dhe i lëshoi X një letërnjoftim të ri. Por, rubrika e gjinisë/seksit dhe kodi personal numerik mbetën të pandryshuar, duke e identifikuar X si femër.
Në qershor 2011 X kërkoi t’i ndryshohet kjo rubrikë në çerfitikatën e lindjes për të treguar se ai ishte mashkull. Por, Ministria e Drejtësisë (Ministria) e hodhi poshtë kërkesën e X-it duke u bazuar në faktin se nuk kishte dokument zyrtar që tregonte se kërkuesi kishte ndryshuar gjininë.
Në qershor 2013, kërkuesi iu nënshtrua një mazektomie të dyfishtë (heqje të gjinjve) në Beograd dhe vazhdoi me terapinë hormonale. Por, në dhjetor 2014 Ministria përsëri e hodhi poshtë kërkesën e tij. Procedurat e reja para Gjykatës Administrative po vazhdojnë akoma.
Duke u bazuar në veçanti në Nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familijare), X u ankua për shkak të mungesës së një kornize rregulluese për njohje ligjore të gjinisë si dhe për shkak të imponimit arbitrar të nevojës për operacion gjenital.
Gjykata gjeti se rrethanat e rastit flasin për boshllëqet legjislative dhe mangësitë serioze që e lënë kërkuesin në një situatë të pasigurisë e shqetësuese kundrejt jetës së tij private dhe njohjes së identitetit të tij. Ekzaminimi i zgjatur i kërkesës së kërkuesit, për të cilin autoritetet vendore mbanin përgjegjësinë e vetme, ka pasoja negative afatgjata për shëndetin e tij mendor. Konsideratat e lartpërmendura janë të mjaftueshme për të mundësuar që Gjykata të konkludojë se korniza ligjore aktuale e Shtetit të paditur nuk ofron “procedura të shpejta, transparente dhe të aksesueshme” për ndryshimin e seksit të regjistruar të transgjinorëve në çertifikatat e lindjes. Prandaj, Gjykata arriti në përfundimin se ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut