17 Kor Shkelje të shumta të Konventës Europiane për shkak të bindjeve të grupit punk Pussy Riot
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjeti shkelje të shumta të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Mariya Alekhina dhe të tjerët kundër Rusisë (kërkesa nr. 38004/12. 17/07/2018). Rasti kishte të bënte me dënimin dhe burgimin e tri anëtareve të grupit Pussy Riot për shkak të tentimit për të performuar një këngë të tyre protestuese në një katedrale në Moskë në vitin 2012.
Më 21 shkurt 2012, pas një sërë performancash në kryeqytetin rus, ato provuan të perfomonin njërën prej këngëve të tyre, “Punk Prayer – Virgin Mary, Drive Putin Away”, nga altari i Katedrales Krishti Shpëtimtar i Moskës. Performanca kishte për synim të shprehte pakënaqësi mbi situatën politike në Rusi gjatë kohës së patriarkut Kirill, udhëheqësit të Kishës Ortodokse Ruse. Aty nuk po zhvillohej asnjë shërbesë, por disa njerëz ishin brenda katedrales, duke përfshirë edhe disa gazetarë dhe media të ftuara nga ky grup për publicitet. Performanca nuk zgjati më shumë se një minutë pasi rojet e katedrales shumë shpejt e nxorën jashtë grupin. Grupi publikoi xhirime të performancës së tyre në faqen e tyre në YouTube.
Aplikantët u arrestuan menjëherë pas shfaqjes për shkak të “huliganizmit të motivuar nga urrejtja fetare” dhe gjykatat vendosën se performanca e tyre ishte ofenduese dhe fyese.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjeti shkelje të shumta të Konventës Europiane:
Gjykata konstatoi se në këtë rast kishte:
- Shkelje të Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të kushteve të këqija të transportimit të anëtarëve të grupit drejt gjykatës për të marrë pjesë në seancat dëgjimore në rastin e tyre si dhe për shkak se ato iu nënshtruan poshtërimit duke qenë gjatë gjithë kohës të ekspozuar brenda një hapësire të mbyllur me xhama gjatë seancave, të rrethuar nga policë dhe nga qeni i policisë;
- Shkelje të Nenit 5 § 3 (e drejta për liri dhe siguri) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut sepse gjykatat vendore kishin dhënë vetëm arsye stereotipike për t’i mbajtur në paraburgim për pesë muaj;
- Shkelje të Nenit 6 § 1 (c) (e drejta për gjykim të drejtë / e drejta për asistencë ligjore sipas zgjedhjes) sepse aranzhimet e sigurisë së gjykatës, përkatësisht hapësira e mbyllur me xhama dhe sigurimi i lartë, kishin penguar pjesëtarët e grupit të komunikonin me avokatët e tyre pa u dëgjuar nga tjetri përgjatë gjykimit të tyre një mujor;
- Shkelje të Nenit 10 (e drejta e shprehjes) për shkak të dënimit të tre anëtarëve si dhe dënimit me burg. Gjykata pranoi se reagimi ndaj shkeljeve të rregullave të sjelljes në një vend të adhurimit fetar mund të kenë qenë të pranueshme. Por, gjykatat vendore nuk kanë arritur të japin arsyetim se pse ishte e nevojshme që anëtaret të dënoheshin me burgim. Gjykatat nuk kishin ekzaminuar nëse sjellja e parashtrueseve mund të interpretohej si thirrje për dhunë, urrejtje apo jotolerancë, e që do të ishte arsyeja e vetme e pranueshme, sipas standardeve ndërkombëtare, për kufizimin e të drejtës së parashtrueseve të shprehur në formë sanksioni penal. Gjykata gjeti se burgosja e tyre vetëm për shkak se mbanin rroba me ngjyrë të shëndritshme, se lëviznin trupin dhe përdornin gjuhë të fuqishme pa e banalizuar tekstin e këngës së tyre apo kontekstin e performancës së tyre dhe pa u dhënë mundësi parashtrueseve të marrin pjesë në seancë, nuk ishte në pajtim me Nenin 10. Gjykata konstatoi se kishte edhe një shkelje tjetër të Nenit 10 për shkak të ndalimit të aksesit në videon e tyre në internet.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut