Shkeljet e të drejtave digjitale u shpeshtuan në Evropën Juglindore gjatë pandemisë COVID-19

Shkeljet e të drejtave digjitale u shpeshtuan në Evropën Qendrore dhe Juglindore gjatë pandemisë COVID-19, ku mbi gjysma e tyre përfshinte propagandë, dezinformim ose publikim të një informacioni të paverifikuar, ka treguar monitorimi i realizuar nga BIRN.

Sipas Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (“BIRN”) dhe Fondacionit Share, nga 26 janari deri më 26 maj ka pasur rreth 163 raste të shkeljeve të të drejtave digjitale në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Hungari, Maqedoni e Veriut, Rumani dhe Serbi. 68 raste kanë të bëjnë me manipulimin në mjedisin digjital, ndërsa 25 raste kanë të bëjnë me publikimin e të pavërtetave dhe informacioneve të paverifikuara me qëllim të dëmtimit të reputacionit të dikujt. Shtetet rrallë adresuan abuzimet që rrodhën nga këto shkelje, dhe në 45 raste autorët nuk u identifikuan, ndërsa 139 nga gjithsej 163 raste nuk u zgjidhën.

8 raste ishin rezultat i presionit në lidhje me publikimin e informacionit, 12 ishin të lidhura me fyerje dhe akuza të pabaza dhe 11 ishin gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim. Shkeljet e të dhënave mjekësore dhe personale ishin paraqitur në 18 raste, mashtrimi kibernetik është regjistruar në 11 raste, ndërsa shkatërrimi dhe vjedhja e të dhënave dhe programeve kanë ndodhur në tre raste.

Spekulimet për numrin dhe identitetin e personave të infektuar me COVID-19- çuan në ekspozimin masiv të të dhënave personale dhe private në mediat sociale dhe platformat e mesazheve. Në disa raste, rrjedhjet ishin të vogla për sa i përket të dhënave, por kishin pasoja të mëdha serioze, veçanërisht në situatat në të cilat u zbuluan të dhënat personale të pacientëve.

Rastet më të rënda janë raportuar në Kroaci, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi. Në muajin mars në Kroaci, një mesazh që përmbante një listë të pacientëve të infektuar u nda midis njerëzve që jetonin në ishullin Murter, kryesisht përmes aplikacioneve për shkëmbim të mesazheve.

Përpunimi i paligjshëm i të dhënave personale dhe shkeljet e intimitetit u shënuan gjithashtu në Maqedoninë e Veriut. Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e këtij shteti ngriti kallëzime penale kundër një personi të panjohur për publikimin e të dhënave personale të personave që jetojnë në qytetin e Kumanovës.

Publiku në Serbi u shqetësua kur u zbulua se kredencialet e hyrjes në sistemin e informacionit të Serbisë për analizën dhe ruajtjen e të dhënave shëndetësore gjatë pandemisë ishin në dispozicion të publikut në një faqe interneti të institucionit shëndetësor për tetë ditë.

Qytetarët e Malit të Zi pësuan më shumë nga stigmatizimi për shkak të një numri rrjedhjesh të regjistrave të pacientëve me COVID-19. Identiteti i pacientëve të infektuar u zbulua në postime në mediat sociale, duke shkaktuar gjuhë urrejtjeje ndaj tyre. Individët të cilët kishin shkelur masat e izolimit ishin gjithashtu në shënjestër, dhe shpesh ishin qeveritë ato që zbulonin informacionet e tyre personale.

Në entitetin e Bosnjes me shumicë serbe, Republika Srpska, autoritetet hapën një faqe në internet në të cilën publikuan emrat e njerëzve që nuk ndiqnin masat e izolimit të këtij entiteti. Lista ende mund të gjendet online. Si masë kundër përhapjes së koronavirusit, qeveria e Malit të Zi publikoi një listë të individëve që u futën në izolim pasi  u kthyen nga jashtë. Listat, të strukturuara nga komunat, përfshijnë emrat e individëve, mbiemrat, datën kur personat u futën në izolim dhe adresat e shtëpive të tyre. Lista u hoq vetëm një muaj pasi u publikua.

Këtu mund të gjeni më shumë rreth raportit të BIRN-it:

https://balkaninsight.com/2020/06/03/insults-leaks-and-fraud-digital-violations-thrive-amid-pandemic/

https://monitoring.bird.tools/

Referenca nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese