06 Pri Sigurimi i drejtësisë për viktimat e trafikimit në BeH
Misioni i OSBE-së në Bosnje dhe Hercegovinë më 15 mars 2022 publikoi raportin e tij të fundit të titulluar “Sigurimi i Drejtësisë për Viktimat e Trafikimit të Qenieve Njerëzore: Reagimi i Sistemit të Drejtësisë Penale në BeH, me rekomandime” në Sarajevë dhe online.
Raporti thjellon kapacitetet e sistemit të drejtësisë penale për të ndjekur trafikimin me njerëz në mënyrë të efektshme, për të sanksionuar ata që janë përgjegjës për të në mënyrë adekuate, për të trajtuar viktimat me dinjitet duke i mbrojtur ato nga pasojat e dëmshme të përfshirjes së tyre në procedurat penale dhe për të lehtësuar të drejtën e viktimave për të kërkuar kompensim nga shkelësit.
Bosnja dhe Hercegovina ka miratuar një varg masash për të përmbushur detyrimet e veta ndërkombëtare lidhur me luftën kundër trafikimit. Ato përfshijnë kriminalizimin e trafikimit me qenie njerëzore në të katër kodet penale, themelimin e Forcës Anti-trafik për të bashkërenduar përpjekjet e zbatimit të ligjit në të gjithë territorin e BeH dhe miratimin e ligjeve dhe rregullave që kanë për qëllim mbrojtjen e dëshmitarëve në procedurat penale.
Megjithatë, përkundër këtyre përpjekjeve, ky raport identifikon shqetësime të mëdha në lidhje me hetimin dhe ndjekjen penale të sjelljes kriminale të lidhur me trafikimin. Ato përfshijnë kualifikimin e krimeve të tilla, duke rezultuar shpesh në ndjekjen penale të shkelësve nën akuza më të buta. Shqetësime të tjera përfshijnë dështimet për të trajtuar menjëherë rastet dhe për të hetuar efektivisht të gjitha rrethanat e rastit, për të konfiskuar të ardhurat nga krimet dhe për të ndjekur penalisht personat juridikë dhe ata që përdorin shërbimet e viktimave të trafikimit. Analiza e raportit mbi praktikat e sanksionimit në rastet e lidhura me trafikimin tregon se sanksionet që gjykatat vendosin në raste të tilla rrallë pasqyrojnë peshën e veprave penale të kryera. Përveç dënimit të butë, sistemi i drejtësisë penale tregon një tendencë për t’i trajtuar viktimat si burime informatash e jo si gëzuese të të drejtave. Misioni gjithashtu vuri në dukje se, në disa raste, autoritetet e drejtësisë penale i trajtuan viktimat në një mënyrë që u shkaktoi trauma të reja. Në fund, raporti konstaton se, pavarësisht mundësive për të përpunuar kërkesat për dëmshpërblim gjatë procedurave penale, edhe ndjekjet penale të suksesshme rrallë rezultojnë në dhënien e dëmshpërblimit për viktimat.
Raporti mbyllet me rekomandime specifike që synojnë disa aktorë kryesorë:
- Rishikimin e legjislacionit penal në të gjitha nivelet me qëllim të forcimit të pozitës së viktimave të trafikimit në procedurat penale dhe për të minimizuar mundësinë e kualifikimit të trafikimit nën akuza më të buta.
- Trajtimin e viktimave me dinjitet dhe respekt të nevojshëm.
- Përmirësimin e mekanizmave ekzistues të koordinimit dhe konsultimit për të siguruar zbatimin e një qasjeje të përqendruar te viktima gjatë të gjitha fazave të rasteve të trafikimit.
- Trajtimin e të gjitha rrethanave rënduese para vlerësimit të rrethanave lehtësuese
në rastet e trafikimit. - Fuqizimin e viktimave për të ushtruar të drejtën e tyre për të kërkuar kompensim.
Këtu mund ta gjeni raportin e plotë: https://www.osce.org/files/f/documents/6/f/509345_0.pdf
Referencat nga faqja e OSBE-së