25 Tet Trajtimi i detyruar psikiatrik dhe mbyllja në spital psikiatrik nuk ishte në përputhje me Konventën
Në rastin R.D. dhe I.M.D. kundër Rumanisë (kërkesa nr. 35402/14, 12.10.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 5 § 1 (e drejta për liri dhe siguri) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private).
Rasti kishte të bënte me mbylljen e pavullnetshme të kërkuesve në një spital psikiatrik për qëllim të detyrimit të tyre për t’iu nënshtruar trajtimit mjekësor dhe detyrimit për ta ndjekur atë trajtim.
Gjykata vuri në dukje se raportet përkatëse psikiatrike mjeko-ligjore në lidhje me kërkuesit ishte përgatitur më 4 tetor 2011, pra më shumë se tre vjet para caktimit të masës që urdhëronte vendosjen e tyre në një spital psikiatrik. Sipas mendimit të Gjykatës, mungesa e një vlerësimi mjekësor të kohëve të fundit ishte e mjaftueshme për të arritur në përfundimin se vendosja e kërkuesve nuk kishte qenë e ligjshme sipas
Konventës dhe për këtë arsye arriti në përfundimin se kishte pasur shkelje të Nenit 5 § 1 të Konventës.
Gjykata përsëriti se administrimi i detyruar i ilaçeve përbënte ndërhyrje serioze në integritetin fizik të një personi dhe në përputhje me rrethanat duhej të bazohej në një “ligj” i cili garantonte masat e duhura mbrojtëse kundër arbitraritetit. Gjykata vuri në dukje se masa e ndalimit e vendosur ndaj kërkuesve me aktgjykimin e datës 10 nëntor 2014 ishte bazuar në dispozitat e Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, dhe se për rrjedhojë ajo kishte bazë në ligjin rumun. Por, Gjykata vuri në dukje se asnjë nga dispozitat ligjore përkatëse në këtë rast nuk e përcakton regjimin e zbatueshëm për trajtimin mjekësor efektiv të sëmundjeve mendore. Tekstet nuk rregullonin kornizën brenda së cilës individët që i nënshtroheshin një mase sigurie përkujdeseshin në spitalet psikiatrike, nuk specifikonte se kush kishte të drejtë të vendoste për trajtimin e duhur dhe nuk përcaktonte mënyrën në të cilën do të administrohej trajtimi, veçanërisht kur një pacient nuk dëshironte të pranonte trajtimin e përshkruar. Për më tepër, këto tekste nuk përcaktonin se ishte e mundur të ankimohej kundër vendimit të mjekut në lidhje me mjekimin që duhej administruar. Në ato rrethana, Gjykata vuri në dukje se kërkuesit nuk kishin asnjë mjet juridik në dispozicion, ku ata mund të kërkojnë që një gjykatë të vendosë mbi ligjshmërinë, duke përfshirë proporcionalitetin e administrimit të detyruar të medikamenteve, ose ndërprerjen e tij.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut