U miratua Marrëveshja Globale e OKB-së për Migrim të Sigurtë, të Rregulluar dhe të Rregullt

Për herë të parë në histori shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara janë pajtuar për një Marrëveshje gjithëpërfshirëse globale për menaxhimin e migrimit ndërkombëtar, për adresimin e sfidave të migrimit, fuqizimin e të drejtave të migruesve, dhe për t’i dhënë kontribut zhvillimit të qëndrueshëm.

Pas më shumë se një viti diskutimesh dhe konsultimesh ndërmjet shteteve anëtare, zyrtarëve vendorë, shoqërisë civile dhe vetë migruesve, teksti i Marrëveshjes Globale për Migrim të Sigurtë, të Rregulluar dhe të Rregullt u finalizua më 13 korrik 2018.

Në deklaratën e tij, sekretari gjeneral i OKB-së Antonio Gutierres e mirëpriti marrëveshjen, duke e quajtur atë ‘arritje e rëndësishme’. Ai tha se marrëveshja pasqyronte ‘këndvështrimin e përbashkët të Qeverive se migrimi ndërkufitar është, sipas natyrës së tij, dukuri ndërkombëtare dhe se menaxhimi efikas i këtij realiteti global kërkon bashkëpunimi ndërkombëtar për ta rritur ndikimin pozitiv për të gjithë. Marrëveshja gjithashtu theksoi se çdo individ gëzon të drejtën e sigurisë, dinjitetit dhe mbrojtjes”.

“Kjo kornizë gjithëpërfshirëse përfshin një sërë objektivash, veprimesh dhe adresash për implementim”, përcjellje dhe shqyrtim”, shtoi shefi i OKB-së.

Duke e quajtur ditën e sotme ‘moment historik’, Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme Miroslav Lajcak, vuri në pah potencialin e madh të Marrëveshjes.

“Ajo nuk e nxit migrimin, as nuk synon ta ndalë atë. Ajo nuk është ligjërisht e obligueshme. Ajo nuk dikton. Ajo nuk imponon. Dhe ajo plotësisht e respekton sovranitetin e Shteteve”, theksoi ai. “Ajo mund të na orientojë nga veprimi reaktiv drejt atij proaktiv. Mund të na ndihmojë të nxjerrim dobi nga migrimi, dhe t’i zbusim rreziqet. Mund të na ofrojë platformë të re për bashkëpunim. Në fund mund të jetë burim për të gjetur barazpeshën e duhur ndërmjet të drejtave të njeriut dhe sovranitetit të Shteteve”, përfundoi ai.

Marrëveshja formalisht do të miratohet nga Shtetet Anëtare në një Konferencë Ndërqeveritare, e cila do të mbahet në Marakesh, Marok, më 10 dhe 11 dhjetor 2018.

Referencat nga uebfaqja zyrtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara