Vendimi për ndërprerjen e kontaktit të kërkuesit me fëmijët e tij ka sjellë shkelje të Nenit 8 të Konventës

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur shkelje të Nenit 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastin A.V. kundër Sllovenisë (kërkesa nr. 878/13, 09.04.2019). Rasti ka të bëjë me vendimet e gjykatës vendore për t’ia hequr kërkuesit, z. A.V. të drejtën për të pasur kontakte me fëmijët e tij dhe punën e autoriteteve të mirëqenies sociale.

Pas divorcit së tyre, kërkuesi dhe bashkëshortja e tij, M., arritën një marrëveshjeje për rregullimin e kontakteve me tre fëmijët e tij. Probleme në lidhje me zbatimin e saj u shfaqën në qershor 2006. Si rrjedhojë, kërkuesi nuk kishte kontakt me fëmijët e tij nga korriku 2006 deri në nëntor 2008. Në procedurat gjyqësore të iniciuara nga kërkuesi në korrik 2006 një psikiatër i emëruar nga gjykata konstatoi se fëmijët konsideronin që kontakti me babain e tyre ishte i pakëndshëm dhe e refuzonin atë. Në prill të vitit 2008 Gjykata e Qarkut i lejoi kërkuesit kontakt të rregullt një herë në javë në praninë e një psikologu të shkollës. Pas apelimit, Gjykata e Lartë konstatoi se kontakti duhet të ndodhë çdo të mërkurë të dytë në praninë e një eksperti nga Qendra për Punë Sociale. Në qershor të vitit 2011 Gjykata e Qarkut nxori një vendim për ndërprerjen e kontaktit ndërmjet z. V. dhe fëmijëve të tij, duke konstatuar se seancat nuk ishin më në interesin më të mirë të fëmijëve, sepse ato ishin shumë traumatike. Gjykata e Lartë hodhi poshtë ankesën e kërkuesit, ndërsa një ankesë tjetër kushtetuese  gjithashtu ishte e pasuksesshme.

Duke u mbështetur veçanërisht në Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, kërkuesi u ankua për shkelje të të drejtave të tij për shkak të vendimeve të gjykatave vendore për t’i dhënë fund të drejtës së tij për të kontaktuar me tre fëmijët e tij, refuzimin e tyre për të caktuar terapi familjare, dhe për punën e pamjaftueshme të autoriteteve të punës sociale.

Gjykata tërheq vëmendjen ndaj mendimit të psikiatrit ekspert që mundësia e vendosjes së kontaktit ndërmjet fëmijëve dhe kërkuesit ishte e mundur vetëm në kontekstin e terapisë familjare – një masë e kërkuar më parë nga kërkuesi dhe e sugjeruar nga Qendra dhe gjykatat e vendore. Megjithatë, ajo vë në dukje se gjykatat vendore nuk kishin urdhëruar një terapi të tillë. Kështu, Gjykata konstatoi se në rastin në fjalë autoritetet vendore nuk arritën një barazpeshë të drejtë midis të drejtës së kërkuesit për respektimin e jetës së tij familjare nga njëra anë dhe qëllimeve të referuara të Qeverisë dhe nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre pozitive sipas nenit 8 të Konventës. Prandaj, në këtë rast ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut