Vendimi për papranueshmërinë lidhur me rastin që kishte të bënte me qasjen në kinema të një personi me aftësi të kufizuara

Në vendimin e saj në rastin e Glaisen kundër Zvicrës (kërkesa nr. 40477/13, 18/07/2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut me shumicë votash kërkesën e ka shpallur të papranueshme. 

Kërkuesi, i cili është paraplegjik, përdor karrocë. Ankesa e tij kishte të bënte me pamundësinë e tij për të hyrë në një kinema në Gjenevë për të parë një film i cili nuk po shfaqej në asnjë kinema tjetër të qytetit. Pasi ndërtesa ku ishte vendosur kinemaja nuk ishte përshtatur për përdoruesit e karrocave, kërkuesit iu refuzua qasja.

Duke u mbështetur veçanërisht në Nenin 14 (ndalimi i diskriminimit) dhe Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare), kërkuesi u ankua se refuzimi i hyrjes në kinema për shkak të aftësisë së kufizuar nuk ishte karakterizuar si diskriminim nga gjykatat zvicrane.

Duke theksuar se ishte e nevojshme të merreshin parasysh specifikat e rastit në fjalë, sidomos situata sociale dhe familjare e kërkuesit, Gjykata nuk e anashkaloi faktin se për z. Glaisen, i cili ishte paraplegjik, rëndësia e shkuarjes në kinema ishte jo vetëm për të parë film, të cilin ai mund ta shihte edhe në shtëpi, por kishte të bënte edhe me shoqërimin me të tjerët. Për më tepër, z. Glaisen, i cili nuk mund të merrte pjesë në shumë aktivitete të tjera zbavitëse për shkak të aftësisë së kufizuar, e shihte veten si dashamir të kinemasë, dhe kjo nuk ishte vënë në dyshim nga qeveria. 

Sidoqoftë, Gjykata konsideroi se Neni 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) nuk mund të interpretohet si kërkim i qasjes në kinema të caktuara për të parë ndonjë film të caktuar në një situatë kur qasja në kinema të tjera në afërsi ishte e mundur. Gjykata  vërtet vuri në dukje se në zonën përreth kishte kinema të tjera të përshtatura për nevojat e z. Glaisen, dhe se ai në përgjithësi kishte qasje në kinemanë e tij lokale. 

Gjykata përsëriti se shteteve u jepej një marzh i gjerë vlerësimi në situatat kur ata duhej të gjenin barazpeshë midis interesave privatë dhe publikë, ose midis të drejtave të ndryshme të Konventës. Ngjashëm me këtë, gjykatat vendore duhej të jepnin arsye të hollësishme për vendimet e tyre, veçanërisht për të lejuar që Gjykata të ushtrojë shqyrtimin e saj evropian.

Në rastin konkret, Gjykata ishte e mendimit se Gjykata Federale kishte dhënë arsye të mjaftueshme për të shpjeguar pse situata me të cilën përballej z. Glaisen nuk ishte aq serioze sa të futej në nocionin e diskriminimit. Prandaj Gjykata nuk gjeti asnjë arsye të kundërshtonte gjetjet e Gjykatës Federale, e cila kishte konstatuar se Konventa nuk e detyronte Zvicrën të miratonte, në legjislacionin e saj të brendshëm, një koncept të diskriminimit të llojit që kërkonte z. Glaisen. Kështu, ai nuk mund të mbështetej në Nenin 8 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut