Vendosja e fëmijës në kujdestari dhe të drejtat e prindërve për kontakt

Në rastin K.O. dhe V.M. kundër Norvegjisë (kërkesa nr. 64808/16, 19.11.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se:

  • nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut sa i përket vendosjes së vajzës së çiftit kërkues në kujdestari, dhe
  • ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës Europiane sa i përket kontaktit të tyre me vajzën e tyre, e që ishte kufizuar në katër herë, dhe pastaj në gjashtë herë në vit. 

Rasti kishte të bënte me vendimet zyrtare për të marrë nën kujdes vajzën e një çifti disa javë pas lindjes së saj në vitin 2015 dhe të drejtat e tyre të kufizuara të kontaktit. Familja përfundimisht ishte bashkuar në vitin 2018. 

Për më tepër, Gjykata ishte e bindur se autoritetet kishin kryer shqyrtim të thelluar të çështjes në lidhje me urdhrin e kujdesit, duke parë historinë e problemeve të kërkuesve dhe nëse mund të përdorej ndonjë masë më pak drastike sesa marrja e vajzës së tyre në kujdes. Por, ato kishin vlerësuar se kjo do të ishte jopraktike, duke pasur parasysh përpjekjet e mëparshme për të ndihmuar kërkuesit dhe vështirësitë e tyre në bashkëpunimin me autoritetet e mirëqenies së fëmijëve. Si përfundim, Gjykata konstatoi se arsyet e marrjes së vajzës së kërkuesve në kujdes ishin “relevante dhe të mjaftueshme” dhe se ndërhyrja në të drejtën e tyre në jetën familjare nuk ishte disproporcionale. Andaj nuk kishte pasur shkelje të Nenit 8.

Në anën tjetër, vendimet e autoriteteve sa u përket të drejtave të kontaktit, në një fazë shumë të hershme të procedurës, ishin bazuar në supozimin se familja nuk do të ribashkohej sepse konsiderohej se kujdestaria do të ishte për afatgjatë. Vajza në fund ishte kthyer në prindërit e saj. Megjithatë, as Bordi as Gjykata e Qytetit nuk e kishin sqaruar, përveç se në terma të përgjithshëm, se fëmija kishte nevojë për stabilitet, përse kishte qenë në kundërshtim me interesat e saj më të mira për të parë prindërit e saj më shpesh, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se reagimet për bashkëveprimin e tyre kishin qenë pozitive. Andaj, Gjykata vendosi se kishte pasur shkelje të Nenit 8 në lidhje me kufizimet e kontaktit midis çiftit kërkues dhe vajzës së tyre.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut