Zbatimi i ligjit islam në kontestin e trashëgimisë në kundërshtim me vullnetin e trashëgimlënësit dhe trashëgimtarit, ka sjellë shkeljen e Konventës

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 14 të Konventës (ndalimi i diskriminimit) së bashku me Nenin 1 të Protokollit Nr. 1 (mbrojtja e pasurisë) në rastin Molla Sali kundër  Greqisë (kërkesa nr. 20452/14).

Rasti kishte të bënte me aplikimin e ligjit fetar islam nga gjykatat vendore (sheriat) për një kontest trashëgimie midis shtetasve grekë që i përkasin pakicës muslimane, në kundërshtim me vullnetin e trashëgimlënësit (grek i pakicës muslimane, bashkëshorti i ndjerë i zonjës Molla Sali), i cili ia kishte lënë të gjithë trashëgiminë e tij bashkëshortes së tij sipas një testamenti të hartuar në përputhje me ligjin civil grek.

Gjykatat e konsideruan testamentin pa fuqi, sepse ligji i zbatueshëm për rastin ishte ai i trashëgimisë islame. Gjykatat gjetën se në Greqi, ky ligj zbatohej në mënyrë specifike te grekët e besimit islam.

Znj. Molla Sali, e cili kishte mbetur pa tre të katërtat e trashëgimisë së saj, pohoi se ajo kishte pasur trajtim të ndryshëm për shkak të fesë, sepse nëse bashkëshorti i saj nuk do të ishte musliman, ajo do ta kishte trashëguar të gjithë pasurinë.

Gjykata gjeti në veçanti se trajtimi i ndryshëm i znj. Molla Sali si përfituese e një testamenti të hartuar sipas Kodit Civil nga një trashëgimtar grek i besimit musliman, në krahasim me një përfitues të një testamenti të hartuar sipas Kodit Civil nga një trashëgimtar grek që nuk është i besimit musliman, nuk ishte justifikuar në mënyrë objektive dhe të arsyeshme. Gjykata theksoi, ndër të tjera, se liria e fesë nuk kërkon nga Shtetet Kontraktuese të krijojnë kornizë të veçantë ligjore për t’u dhënë bashkësive fetare  status të veçantë me privilegje specifike. Megjithatë, Shteti i cili ka krijuar një status të tillë duhet të sigurojë se kriteri i vendosur për të drejtën e një grupi duhet aplikuar në mënyrë jodiskriminuese. Prandaj, ka pasur shkelje të Nenit 14 të Konventës bashkë me Nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës.

Referencat nga uebfaqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut