Raporti alternativ mbi zbatimin e Konventës për Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër grave në Serbi

Praxis, në bashkëpunim me Rrjetin Europian për Pashtetësinë (ENS), Qendrën Europiane për të Drejtat e Romëve (ERRC) dhe Institutin për Pashtetësi dhe Përfshirje (ISI) i kanë dorëzuar Komisionit për Eleminimin e Diskriminimit kundër Grave një raport alternativ mbi zbatimin e Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër grave në Serbi, më 13 korrik 2018.

Raporti thekson vështirësitë me të cilat përballen gratë rome në Serbi gjatë ushtrimit të të drejtave të tyre. Pozita e tyre është veçanarisht e vështirë meqë ato janë shpesh viktima të shumë formave të diskriminimit për shkak të gjinisë dhe përkatësisë së tyre etnike. Raporti përmban informacione për problemet me të cilat ballafaqohen gratë rome në kërkimin e të drejtave të tyre të kujdesit shëndetësor, mbrojtjes sociale, arsimit e punësimit. Po ashtu, raporti nxjerr në pah çështjen e martesave të fëmijëve, martesave të hershme dhe atyre të dhunshme, e që janë shumë më të përhapura tek popullsia rome, por duke prekur sidomos gratë dhe vajzat rome.

Vëmendje e veçantë në raport i kushtohet pengesave që kanë të bëjnë me regjistrimin e lindjeve dhe marrjen e shtetësisë, ndërsa theks i veçantë vihet mbi çështjet e rregulloreve diskriminuese të cilat u ndalojnë grave rome të cilat nuk kanë dokumente personale t’i regjistrojnë të sapolindurit në librin e lindjeve. Për këtë arsye, këta fëmijë gjithashtu mbesin pa shtetësi dhe pa banim të përhershëm në momentet më të ndjeshme të jetës së tyre dhe rrjedhimisht pa mundësi për të gëzuar të drejtat e kujdesit shëndetësor dhe të sigurisë sociale, si dhe të drejtat e tjera për të cilat nevojitet posedimi i dokumenteve personale, që pa dyshim përbën shkelje të parimeve të interesave më të mirë të fëmijës dhe gjithashtu përbën shkelje të Konventës së të Drejtave të Fëmijës dhe Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave Civile dhe Politike, të cilat theksojnë se çdo fëmijë ka të drejtë të regjistrohet në librat e lindjeve dhe të ketë emër personal menjëherë pas lindjes.

Raporti i propozon Komisionit për Eleminimin e Diskriminimit kundër Grave shumë rekomandime që synojnë të vendosin barazi dhe të parandalojnë diskriminimin kundër pjesëtarëve të minoritetit rom, siç është: Amendimi i aktit nënligjor për të siguruar se të gjitha gratë mund t’i regjistrojnë lindjet e fëmijëve të tyre; Interpretimi i duhur dhe zbatimi i Nenit 13 të Ligjit për Shtetësinë (i cili rregullon të drejtën e shtetësisë serbe mbi bazën e parimit jus soli) në përputhje me Konventën e Pashtetësisë së vitit 1961 dhe Konventën e të Drejtave të Fëmijëve (që mundëson akses në kujdesin shëndetësor të grave rome pa banim të përhershëm/përkohshëm); Akses të barabartë në sistemin arsimor parashkollor, fillor dhe të mesëm për vajzat rome); Përmirësim të masave për punësimin aktiv të romëve etj.

Referencat nga faqja zyrtare e Praxis.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu:

http://www.praxis.org.rs/images/praxis_downloads/Alternative_Report_concerning_Serbia_for_cosideration_at_the_CEDAW.pdf