Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka dhënë mendimin e parë këshillimor sipas Protokollit 16

Gjykata franceze e Kasacionit ka bërë kërkesë për mendim këshillimor në lidhje me rastin Mennesson kundër Francës (nr. 65192/11, 26 qershor 2014).

Rasti kishte të bënte me kërkuesit, burrë e grua (kërkuesit e parë) të cilit nuk ishin në gjendje të kishin fëmijë pasi kërkuesi i dytë ishte infertil. Pas një sërë përpjekjesh të pasuksesshme për të pasur fëmijë duke përdorur metoda in vitro (IVF) me materialin e tyre, kërkuesit vendosën të bënin IVF me materialet e kërkuesit të parë dhe me një vezë prej një donatori me qëllimin e vendosjes së embrionëve të fekonduara në mitrën e një gruaje tjetër. Kështu, ata shkuan në Kaliforni, ku procesi është i ligjshëm dhe bënë një marrëveshje surrogacie. Kërkuesit saktësuan se, sipas ligjit në Kaliforni, “nënës surrogate” nuk i takonte ndonjë pagesë, por mund të merrte vetëm pagesën e shpenzimeve. Ata shtuan se ajo dhe bashkëshorti i saj kishin të ardhura më të larta se kërkuesit dhe se kjo ishte një akt solidariteti nga ana e saj. Në një vendim të Gjykatës Supreme në Kaliforni, së cilës iu drejtuan të dy kërkuesit si dhe nëna surrogate dhe bashkëshorti i saj, ishte vendosur se kërkuesi i parë do të jetë “baba gjenetik” ndërsa kërkuesja e dytë “nënë ligjore” e fëmijës të cilin e lind nëna surrogate në katër muajt në vijim. Vendimi theksonte specifikat të cilat duheshin vendosur në çertifikatën e lindjes dhe thoshte se kërkuesi i parë dhe i dytë duhen regjistruar si babai dhe nëna. Binjakët – kërkuesi i tretë dhe i katërt – u lindën më 25 tetor 2000 dhe çertifikatat e tyre të lindjes u bënë në përputhje me kushtet e përmendura më lart.

Kërkuesit u ankuan se në dëm të interesave më të mirë të fëmijës ata nuk qenë në gjendje ta fitonin të drejtën në Francë për marrëdhënie ligjore prind-fëmijë ndërmjet dy kërkuesve dhe kërkuesit të tretë e të katërt të lindur jashtë vendit si rezultat i marrëveshjes së surrogacisë:

Gjykata gjeti se nuk ka pasur shkelje të së drejtës së fëmijëve dhe të respektimit të jetës private të prindërve, por ka pasur shkelje të së drejtë së fëmijëve për respektimin e jetës së tyre private.

Në kërkesën e saj për mendim këshillimor, Gjykata e Kasacionit theksoi se praktika e saj është zhvilluar më tej pas vendimit të Menneson-it. Regjistrimi i detajeve në çertfikatën e lindjes së fëmijës të lindur përmes surrogacisë jashtë vendit ishte i mundur përderisa çertifikata paraqiste babain e synuar si baba të fëmijës ku ai ishte baba biologjik.  Por kjo gjë ishte e pamundur për sa i përket nënës së synuar. Më 16 shkurt 2018 Gjykata e Apelit të Gjykimit Civil miratoi kërkesën për rishqyrtimin e ankesës për sa i përket pikave të ligjit kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Parisit të datës 18 mars 2010 që zhvlerësonte regjistrin e lindjeve, martesave dhe vdekjeve të të dhënave të çertifikatave të lindjes të SHBA-ve të fëmijëve të Menneson-it.  Kërkesa e Gjykatës së Kasacionit për mendim këshillimor nga Gjykata u bë në kontekstin e rishqyrtimit të asaj ankese.

Gjykata e Kasacionit i parashtroi Gjykatës pyetjet në vijim (Kërkesa nr. P16-2018-001):

“1. Duke refuzuar futjen e të dhënave në regjistrin e lindjeve, martesave dhe vdekjeve nga çertifikata e lindjes së një fëmije të lindur jashtë vendit si rezultat i marrëveshjes së surrogacisë, përderisa çertifikata paraqet “nënën e synuar” si “nënë legale”, por duke pranuar regjistrimin për sa i takon “babait të synuar”, i cili është baba biologjik, a po e tejkalon Shteti margjinën e vlerësimit sipas Nenit 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut?  Në lidhje me këtë, a duhet bërë dalimi në lidhje me faktin nëse ka lindur fëmija duke përdorur vezët e “nënës së synuar”?

  1. Në rast të përgjigjes pozitive lidhur me cilëndo prej dy pyetjeve, a do të ishte e mundur që nëna e synuar ta adoptonte fëmijën e bashkëshortit të saj, babait biologjik, duke qenë ky mjeti për të vendosur marrëdhënien nënë-fëmijë, dhe duke siguruar pajtim me Nenin 8 të Konventës?

Në përgjigjen ndaj kërkesës për mendim këshillimor nga Gjykata e Kasacionit, Gjykata njëzëri dha mendimin në vijim:

Në rast se fëmija është lindur jashtë vendit përmes marrëveshjes së surrogacisë dhe është ngjizur duke përdorur materialin e babait të synuar dhe të donatorit të tretë, dhe ku marrëdhënia legale prind-fëmijë me babain e synuar njihet sipas legjislacionit vendor:

  1. E drejta e fëmijës për respektimin e jetës private në kuadër të kuptimit të Nenit 8 të Konventës kërkon që legjislacioni vendor të ofrojë mundësinë e njohjes së marrëdhënies ligjore prind-fëmijë me nënën e synuar, që figuron në çertifikatën e lindjes e që është vendosur jashtë vendit si “nënë ligjore”;
  2. E drejta e fëmijës për respektimin e jetës private nuk kërkon që një njohje e tillë të marrë formën e futjes së të dhënave në regjistrin e lindjeve, martesave dhe vdekjeve nga çertifikatat e lindjes të lëshuara ligjërisht jashtë vendit; edhe metoda tjetër, siç është adoptimi i fëmijës nga nëna e synuar, mund të përdoret.

Ky është mendimi i parë këshillimor i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për të cilin jurisdiksioni u vendos më 1 gusht të vitit të kaluar sipas Protokollit Nr. 16 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut