Profilizimi etnik i komunitetit rom

Në rastin Lingurar kundër Rumanisë (kërkesa nr. 48474/14, 16/04/2019) Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, njëzëri, gjeti se ka pasur:

  • Shkelje të Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që ka të bëjë me keqtrajtimin e familjes së kërkuesit gjatë bastisjes dhe
  • Dy shkelje të Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit) në lidhje me Nenin 3 sepse bastisja kishte motive racore dhe hetimi lidhur me të kishte qenë i joefikas.

Rasti kishte të bënte me një bastisje në vitin 2011 nga 85 policë dhe xhandarë të kryer në komunitetin rom në Vâlcele (Rumani) më 15 dhjetor 2011.

Gjykata theksoi se kërkuesve u ishin shkaktuar lëndime që kërkonin kujdes mjekësor pas bastisjes, që kishin arritur nivelin minimal të ashpërsisë sipas Nenit 3 dhe se nuk kishte pasur asnjë justifikim për përdorimin joproporcional të forcës gjatë bastisjes në shtëpinë e familjes së kërkuesit. Kërkuesit kishin qenë të paarmatosur dhe asnjëherë nuk ishin akuzuar për ndonjë krim të dhunshëm, ndërsa katër xhandarët që kishin bastisur shtëpinë e tyre ishin trajnuar shumë për ndërhyrje të shpejtë.

Gjykata vuri në dukje se, për të justifikuar bastisjen, qeveria kishte dorëzuar një plan ndërhyrje policore i cili ishte hartuar përpara datës 15 dhjetor 2011. Plani bënte të qartë se bastisja kishte për qëllim romët për shkak të sjelljes së tyre anti-shoqërore dhe shkallës së lartë të kriminalitetit në atë grup. Në mënyrë të ngjashme, hetuesit kishin shpjeguar agresivitetin e supozuar të ankuesve sipas tipareve ose shprehive të tyre etnike – “specifike për romët”. Prandaj, kërkuesit kishin qenë në shënjestër sepse ishin romë dhe sepse autoritetet e kishin perceptuar komunitetin rom në përgjithësi si kriminel.

Gjykata vuri në dukje prova të siguruara nga palët që tregojnë se komunitetet rome përballeshin shpesh me racizëm të institucionalizuar. Vetë kërkuesit u ankuan tek autoritetet për dhunë të tillë sistematike gjatë hetimeve, por autoritetet nuk arritën të hetonin nëse diskriminimi kishte luajtur rol në bastisje. Prandaj, kishte pasur gjithashtu shkelje të Nenit 14 në lidhje me Nenin 3 që ka të bëjë me hetimin.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut