Diskriminimi i bazuar në seks sa i përket të drejtës për pension familjar

Në rastin B. kundër Zvicrës (kërkesa nr. 78630/12, 20.10.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit) së bashku me Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me pensionin e vejanit të cilit më nuk i takonte e drejta e pensionit pasi vajza e tij e vogël kishte arritur moshën madhore.

Ligji Federal i Sigurimeve për të Moshuarit dhe të Mbijetuarit parasheh që e drejta e vejanit për pension mbaron kur fëmija i tij më i vogël arrin moshën 18-vjeçare, derisa kjo nuk vlen për vejushën. 

Gjykata konstatoi se kërkesa e kërkuesit ishte brenda fushëveprimit të Nenit 8 sepse qëllimi i pensionit të një vejushe apo vejani ishte të mundësonte që bashkëshorti i mbijetuar të organizonte jetën e tij familjare. 

Për sa u përket pretendimeve të kërkuesit për diskriminim për shkak të “seksit”, Gjykata vërejti se ai kishte vuajtur me të vërtetë trajtim të pabarabartë pasi pagesa e pensionit të tij ishte ndërprerë kur vajza e tij e vogël kishte mbushur moshën madhore, ndërsa një vejushë në të njëjtën situatë nuk do ta kishte humbur të drejtën e saj për pension. Sa i përket natyrës objektive të diskriminimit, Gjykata ishte e përgatitur të pranonte argumentin e Qeverisë se ekzistonte supozimi se burri e siguronte financiarisht gruan e tij, veçanërisht kur ajo kishte fëmijë. Por, Gjykata konsideroi se kërkohej një shtjellim i kujdesshëm i arsyeshmërisë së pabarazisë në trajtim. Ajo përsëriti se vetëm “arsyet me shumë peshë” mund të justifikonin diskriminimin për shkak të seksit, pavarësisht nëse viktima ishte grua apo burrë. Gjykata nuk mund të përjashtonte se kufizimi i pensionit vetëm për vejusha mund të justifikohej me rolin dhe statusin e caktuar të grave në kohën kur ligji përkatës ishte miratuar, në 1948. 

Por, Gjykata theksoi se Konventa ishte “instrument i gjallë”, i cili duhej interpretuar në dritën e kushteve të sotme dhe zbuloi se supozimi se burri e siguronte financiarisht gruan e tij, veçanërisht kur ajo kishte fëmijë, nuk ishte më i vlefshëm dhe nuk mund të justifikonte ndryshimin në trajtimin e të cilit kërkuesi kishte qenë viktimë. 

Gjykata nuk arriti të bindej se kërkuesi do të kishte pasur më pak vështirësi për t’u kthyer në tregun e punës në atë moshë sesa një grua në një situatë të ngjashme, ose se ndërprerja e pensionit do ta kishte prekur atë në masë më të vogël se një vejushë në rrethana të krahasueshme. Prandaj, Gjykata gjeti se Qeveria kishte dështuar të siguronte justifikim të arsyeshëm për pabarazinë në trajtimin e kërkuesit. Prandaj, ka pasur shkelje të Nenit 14 bashkë me Nenin 8 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut