Parregullsitë në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese kanë çuar në shkelje të së drejtës për një gjykatë të themeluar me ligj

Në rastin Xero Flor w Polsce sp. z o.o. kundër Polonisë (kërkesa nr. 4907/18, 07.05.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut sa i përket së drejtës për seancë të drejtë, si dhe shkelje të Nenit 6 § 1 sa i përket të drejtës për një gjykatë të themeluar me ligj.

Rasti kishte të bënte me përpjekjet e ndërmarrjes kërkuese për të marrë kompensim nga shteti për dëmtimin e njërit prej produkteve të tyre (bari artificial) të shkaktuar nga derri i egër dhe dreri. Në vitin 2012 ndërmarrja paditi Thesarin e Shtetit për dëmtimin e fushës në vjeshtën e vitit 2010 dhe pranverën e vitit 2011. Në veçanti, ndërmarrja kishte dorëzuar padi në vitin 2012 por i ishte dhënë vetëm 60% e asaj që kishte kërkuar. Ndërmarja nuk arriti të gëzojë të drejtat e saj përmes gjykatave vendore. Megjithëse kishte kërkuar në disa raste që çështja e kushtetutshmërisë së ligjit përkatës t’i referohej Gjykatës Kushtetuese, ndërmarrja ishte refuzuar nga gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit. Në fund, ajo kishte paraqitur ankesë kushtetuese të cilën Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të papranueshme në vitin 2017. Paneli që kishte dëgjuar atë çështje përbëhej nga gjyqtari M.M, i cili ishte zgjedhur nga Sejmi i ri (dhoma e ulët e parlamentit) pavarësisht se pozita e tij tashmë ishte plotësuar nga Sejmi i vjetër. 

Ndërmarrja kërkuese argumentoi se zgjedhja e tre gjyqtarëve në vitin 2015, përfshirë gjyqtarin M.M. në Gjykatën Kushtetuese me një procedurë, sipas tyre, të parregullt kishin shkelur të drejtën e saj për një gjykatë të themeluar me ligj. 

Gjykata gjeti në veçanti se – megjithë ngritjen e përsëritur të çështjes nga ndërmarrja kërkuese – gjykatat vendore nuk i ishin përgjigjur argumenteve të saj se ligji i zbatuar në çështjen në fjalë kishte qenë i papajtueshëm me Kushtetutën dhe, për pasojë, kishin dështuar në detyrën e tyre sipas Nenit 6 § 1 të Konventës për të ofruar vendime të arsyetuara, duke i mohuar kompanisë kërkuese gjykim të drejtë.

Gjykata gjeti se Presidenti i Polonisë kishte refuzuar të betohej për tre gjyqtarët të cilët ishin zgjedhur ligjërisht në tetor të vitit 2015 nga Sejm i vjetër. Ajo gjithashtu gjeti se Sejmi i ri në dhjetor 2015 kishte zgjedhur tre gjyqtarë të rinj, përfshirë gjyqtarin M.M. në pozitat që ishin plotësuar tashmë. Gjykata nuk pa asnjë arsye për të mos u pajtuar me gjetjet e Gjykatës Kushtetuese se kishte pasur parregullsi që përbënin shkelje të dukshme të ligjit vendor në emërimin e atyre gjyqtarëve. Gjykata gjeti se veprimet e legjislativit dhe ekzekutivit, në veçanti dështimi i autoriteteve për të respektuar vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese, ishte i lidhur me sfidimin e tyre – me qëllim të uzurpimit të rolit të Gjykatës Kushtetuese si interpretuesi përfundimtar i Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë së ligjit. Kështu, Gjykata konsideroi se ndërmarrjes kërkuese i ishte mohuar e drejta e saj për një “gjykatë të themeluar me akt nënligjor” për shkak të parregullsive në emërimin e gjyqtarit M.M. në veçanti. Andaj, ka pasur një shkelje të të drejtave të ndërmarrjes kërkuese në atë drejtim. 

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut