07 Sht Markat tregtare që kanë mesazhe socio-politike nuk mund të trajtohen ekskluzivisht në kontekstin komercial
Në rastin Gachechiladze kundër Gjeorgjisë (kërkesa nr. 2591/19, 22.07.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes).
Rasti ka të bëjë me procedurat kundërvajtëse administrative kundër kërkueses, sipërmarrëse, për
reklamimin e prezervativëve. Ajo prodhonte prezervativë nën emrin e markës Aiisa, kuptimi tekstual i të cilit ishte “ajo gjë”. Sipas shpjegimeve të kërkueses, emri i markës pasqyronte mënyrën se si prezervativëve iu referoheshin disa konsumatorë që besohej se nuk ndjeheshin rehat me blerjen e tyre. Ajo gjithashtu deklaroi se sarkazma e lehtë ishte pjesë e imazhit të Aiisas. Dizajni i paketimit të prezervativit ndryshonte dhe përfshinte përshkrime të personazheve të sajuar popullorë, figura historike dhe politike gjeorgjiane dhe jogjeorgjiane të dikurshme dhe aktuale, referenca në ngjarje politike, objekte të ndryshme si ëmbëlsira, citime të ndryshme nga letërsia gjeorgjiane, modele muzikore, parulla popullore , fraza që pretendohet se pasqyrojnë paragjykime shoqërore (për shembull, “homoseksualët gjeorgjianë nuk ekzistojnë”) ose që përfshijnë lojë me fjalë, modele që shprehin mbështetjen e komunitetit LGBT (lezbike, homoseksualë, biseksualë dhe transgjinorë) dhe imazhe të tjera. Prezervativët shiteshin online dhe përmes makinerive shitëse.
Gjatë procedurave të shkallës së parë, kërkuesja ishte mbështetur pa sukses në rastet e ndryshme të shqyrtuara nga Gjykata Kushtetuese, duke argumentuar se ishte dhënë arsyetim i pamjaftueshëm përse imazhet në fjalë kishin shkelur Ligjin e Reklamimit. Kërkuesja u gjobit, u urdhërua të ndalonte përdorimin dhe shpërndarjen e modeleve përkatëse dhe të kërkonte tërheqjen e produktit në lidhje me produktet tashmë të shpërndara. Ajo u ankua pa sukses.
Gjykatat vendore gjetën se katër nga modelet që ajo kishte përdorur në mediat sociale dhe në
paketim për prezervativët ishte joetikë.
Katër modelet e diskutueshme lidhen me:
- Dizajni – Një fotografi e një pande me tekstin – Do ta bënte me dorë, por është Epifani – Epifania është festa më e vjetër e krishterë, një nga [Dymbëdhjetë Festat e Mëdha]. Sipas Ungjillit, kjo ditë e shenjtë lidhet me Pagëzimin e Krishtit… dhe nga ajo buron praktika e pagëzimit dhe misteri i parë i shenjtë i Kishës.
- Dizajni – ‘Fitorja e mrekullueshme’ dhe imazhi – Beteja e Didgorit, pra fitorja e mrekullueshme. Beteja e Didgorit zë vend të veçantë në historinë e Gjeorgjisë. Kjo fitore është simbol i pavarësisë dhe luftës për liri, unitet dhe përkushtim ndaj vendit. Në produkt paraqitet kurora mbretërore – bartëse e domethënies kombëtare.
- Dizajni – “Oborri Mbretëror brenda Tamarit” dhe imazhi – Mbreti Tamar sundoi si monark i Gjeorgjisë nga viti 1184, përfaqësues i dinastisë mbretërore Bagrationi. Titulli i saj ishte kështu: Mbreti i Mbretërve dhe Mbretëresha e Mbretëreshave… Kisha Ortodokse e kanonizoi mbretin Tamar, [dhe] fytyra e saj paraqitet në afreske të shumta.
- Dizajni – ‘dora e bekimit’ – gjest dore i cili përdoret nga zyrtarët fetarë. Dora e bekimit paraqitet në afresket e shumta të shenjtorëve dhe përdoret gjithashtu nga zyrtarët fetarë kur bekojnë famullinë.
Gjykata vuri në dukje se marka e kërkueses gjithashtu duket se kishte për qëllim fillimin dhe/ose kontributin në debatin publik në lidhje me çështje të ndryshme me interes të përgjithshëm. Në veçanti, synimi i deklaruar i markës, i shprehur në kohën e lansimit të tij, ishte shembja e stereotipeve, dhe “për të ndihmuar në kuptimin e duhur të seksit dhe seksualitetit”. Për më tepër, disa modele të përdorura nga marka gjithashtu duket se kanë qenë koment social dhe politik për ngjarje ose çështje të ndryshme. Prandaj, argumenti i Qeverisë se “shprehja” e kërkueses duhej të trajtohej si e bërë vetëm në një kontekst tregtar, duke u dhënë autoriteteve marzhë të gjerë vlerësimi në nivel të brendshëm, duhet të trajtohet me kujdes. Në rrethanat kur një mesazh për çështje me interes publik ishte përfshirë të paktën pjesërisht, kufiri i vlerësimit që i jepet gjykatave vendore ishte domosdoshmërisht më i ngushtë në krahasim me situatat që lidheshin vetëm me shprehjen komerciale.
Sa i përket dizajnit të tretë, Gjykata ra dakord se kanonizimi i një figure publike ose i ndonjë personi në vetvete nuk mund të shërbejë për të përjashtuar diskutimin lidhur me atë personazh në një debat publik. Gjithashtu, ndryshe nga gjetjet e gjykatave vendore, zgjedhja e mjetit të shprehjes – prodhimi dhe shpërndarja e prezervativëve në këtë rast – në vetvete nuk duhet të konsiderohet e papërshtatshme në vlerësimin nëse një shprehje mund të kontribojë në debatin publik për çështje të rëndësishme për shoqërinë. Megjithatë, Gjykatës nuk i iku nga vëmendja dështimi i kërkueses për të dhënë shpjegim në nivel vendor se përdorimi i atij personazhi në prezervativët me shenjën shoqëruese kishte filluar ose kontribuar në ndonjë debat publik për një çështje me interes të përgjithshëm. Në lidhje me këtë, në mungesë të argumenteve bindëse nga kërkuesja, Gjykata nuk mund të konstatojë se gjykatat vendore kishin gabuar në përfundimin se dizajni mund të konsiderohej si fyerje për gjeorgjianët që ndjekin besimin e krishterë ortodoks.
Sa i përket dizajneve të tjera, megjithatë, rrethanat janë të ndryshme. Në veçanti, sa i përket dizajnit të parë që përmban një fytyrë të pandës dhe i referohet një dite të shenjtë të krishterë, Gjykata merr parasysh arsyetimin e gjykatës së apelit se imazhi dhe teksti shoqërues fyenin në mënyrë të pajustifikueshme stilin e jetës së praktikuesve të krishterëve ortodoksë dhe mësimin fetar që marrëdhëniet seksuale duhet të shmangen gjatë agjërimit që lidhet me festat e rëndësishme fetare. Megjithatë, Gjykata nuk është e bindur se këto arsye ishin të mjaftueshme për të justifikuar domosdoshmërinë e ndërhyrjes në një shoqëri demokratike. Në veçanti, fakti se dizajni thjesht përsëriti një pjesë ekzistuese të shprehjes artistike nga një grup anonim i quajtur Panda i cili, në atë kohë, kishte më shumë se 1 milion shikime në YouTube dhe afërsisht 15.000 “pëlqime” nuk mund të anashkalohet.
Sa i përket dizajnit të dytë që përmban një kurorë dhe dizajnit të katërt duke iu referuar dorës së bekimit që i referohet një ngjarjeje historike, gjykatat vendore u përqëndruan në rëndësinë e asaj ngjarjeje për historinë e Gjeorgjisë. Megjithatë, përkundër parashtrimeve të kërkueses, mbeti e paqartë gjatë krejt procedurave kundër saj pse gjykatat vendore konsideruan se një lidhje me një ngjarje historike, paraqitja e një kurore ose një dore të majtë gruaje mbi prezervativët mund të futej brenda përkufizimit të reklamës joetike sipas Ligjit të Reklamimit. As nuk u shpjegua nëse kishte ekzistuar ndonjë “nevojë e ngutshme shoqërore”, në kuptimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës, për të kufizuar përhapjen e këtyre dy dizajneve. Prandaj, Gjykata konsideron se asnjë nga arsyet e dhëna nga gjykatat vendore nuk ishte relevante për të justifikuar domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e ndërhyrjes në lirinë e shprehjes së kërkueses.
Në fund, Gjykata vë në dyshim implikimin e dukshëm në vendimet e gjykatave vendore se pikëpamjet mbi etikën të anëtarëve të Kishës Ortodokse Gjeorgjiane kishin përparësi në balancimin e vlerave të ndryshme të mbrojtura sipas Konventës dhe Kushtetutës së Gjeorgjisë. Gjykata përsëriti se në një shoqëri demokratike pluraliste ata që zgjedhin të ushtrojnë lirinë për të shfaqur fenë e tyre duhet të tolerojnë dhe të pranojnë mohimin e besimeve të tyre fetare nga të tjerët dhe madje edhe përhapjen e doktrinave armiqësore ndaj besimit të tyre nga të tjerët.
Së këndejmi, Gjykata arrin në përfundimin se të paktën sa i përket tre prej katër dizajneve të kontestuara arsyet e paraqitura nga gjykatat vendore nuk ishin relevante dhe të mjaftueshme për të justifikuar ndërhyrjen sipas Nenit 10 § 2 të Konventës. Andaj, ka pasur ka pasur shkelje të Nenit 10 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut