Përdorimi i korrespondencës private me email si dëshmi në procedurat e divorcit nuk çoi në shkelje të Nenit 8

Në rastin M.P. kundër Portugalisë (kërkesa nr. 27516/14, 07.09.2021)  Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se: nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe korrespondencës), të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me kërkuesen e cila u ankua për faktin se ish bashkëshorti i saj nuk ishte ndëshkuar në procedura penale nga gjykatat portugeze për qasjen në emaila që ajo i kishte shkëmbyer në një uebfaqe takimesh dhe që ai i kishte dorëzuar si prova në procedurat civile për përgjegjësinë e përbashkët të kujdestarisë dhe procedurat e divorcit, që ai i kishte nisur përpara gjykatave portugeze. Në fund kërkuesja u ishte drejtuar gjykatat spanjolle (dhe jo atyre portugeze të cilave u ishte drejtuar ish bashkëshorti i saj) që vendosën për divorcin dhe i dhanë të drejtë qëndrimi nënës, me të drejtat e qasjes për bashkëshortin.

Sa i përket sistemit ligjor portugez, Gjykata kishte vërejtur se qasja në përmbajtjen e letrave apo
telekomunikimit pa pëlqimin e korrespondentëve dhe zbulimi i përmbajtjes së siguruar në këtë mënyrë ishin të dënueshme sipas kodit penal. Gjykata vuri re se, pas ankesës penale të paraqitur nga kërkuesja për shkeljen e korrespondencës së saj, zyra e prokurorit në Gjykatën e Lisbonës kishte nisur hetimin. Përveç kësaj, kërkuesja ishte autorizuar të merrte pjesë në procedurat penale si asistente, gjë që i kishte mundësuar asaj të luante rol aktiv në ato procedura dhe të paraqiste kërkesë për kompensim kur kërkoi që të niste hetimi, por ajo nuk e kishte bërë këtë dhe kështu kishte hequr dorë nga kjo mundësi. Kështu, në rastet si ky i  kërkueses, sistemi ekzistues në Portugali siguronte mbrojtje adekuate për të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare. 

Në lidhje me qasjen në emaila, Gjykata vuri në dukje se Gjykata e Apelit e Lisbonës kishte gjetur
se kërkuesja i kishte dhënë burrit të saj qasje të plotë në llogarinë e saj elektronike në faqen e takimeve dhe si rrjedhojë, këto mesazhe ishin pjesë e jetës private të çiftit. Sipas vështrimit të Gjykatës, arsyetimi i autoriteteve vendore në lidhje me qasjen e përbashkët në korrespondencën e bashkëshortëve ishte çështje e debatueshme, veçanërisht pasi kishte arsye në rastin konkret për të besuar se pëlqimi që kërkuesja i kishte dhënë bashkëshortit të saj ishte bërë në një situatë konflikti. Megjithatë, përfundimi i arritur nga gjykatat vendore lidhur me çështjen e qasjes në këto emaila nuk u dukën aq arbitrare sa Gjykata të zëvendësonte vlerësimin e vet me të tyrin.

Sa i përket dorëzimit të emailave në procedurat e divorcit dhe kujdestarisë së përbashkët  Gjykata u pajtua me Gjykatën e Apelit të Lisbonës në lidhje me rëndësinë e këtyre mesazhe në procedurën civile në fjalë. Sidoqoftë, ajo përsëriti se, në një situatë të tillë, ndërhyrja në jetën private që rezulton nga zbulimi i një informate të tillë duhej të ishte e kufizuar, sa më shumë të jetë e mundur, vetëm deri në masën e domosdoshme. Në rastin konkret, Gjykata konsideroi se efektet e zbulimit të emailave në fjalë mbi jetën private të kërkuess ishin të kufizuara:  ato mesazhe ishin zbuluar vetëm në procedurat civile, dhe qasja publike në këto dosje ishte e ndaluar në këto lloj procedurash. Për më tepër, mesazhet në fjalë nuk ishin ekzaminuar në praktikë, meqë Gjykata e Çështjeve Familjare e Lisbonës përfundimisht nuk kishte vendosur mbi bazueshmërinë e kërkesave të bashkëshortit. Si pasojë, Gjykata nuk pa asnjë arsye të fortë për të zëvendësuar pikëpamjen e saj me atë të gjykatave vendore në këtë rast, meqë autoritetet portugeze kishin balancuar interesat konkurruese, në përputhje me kriteret e vendosura në praktikën e saj gjyqësore. Andaj,  nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut