03 Jan Artikulli i shtypit që kritikon tregtimin e antibiotikëve që konsiderohen të dëmshëm për shëndetin e njeriut nuk ka shkelur Konventën
Në rastin Daneş dhe të Tjerët kundër Rumanisë (kërkesat nr. 44332/16, 44829/16, 44839/16, 07.12.2021), Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me hedhjen poshtë të padive civile të paraqitura nga kërkuesit, anëtarë të bordi drejtues të Urdhrit Kombëtar të Kirurgëve Veterinarë të Rumanisë (CMVR), kundër një gazetari dhe një gazetë javore lokale, për të siguruar mbrojtjen e reputacionit të tyre pas botimit të një artikulli që përmban kritika ndaj tyre.
Gjykata vuri në dukje se qëllimi i nenit të kontestuar ishte të përcaktonte rrezikun që i kanosej shëndetit të konsumatorit nga reklamimi dhe përdorimi i ilaçeve veterinare pa recetë, hapat e ndërmarrë nga kërkuesit për të nxjerrë një dekret që synon fuqizimin e efikasitetit të standardeve relevante, dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të kërkuesve në reklamimin e ilaçeve veterinare. Ajo po ashtu vuri në dukje se shitja e mishit të papërshtatshëm për konsum tashmë ishte temë e mbulimit medial kur ishte botuar artikulli dhe tashmë ishte diskutuar në mediat nacionale.
Gjykata gjithashtu vuri në dukje, sikurse gjykatat vendore, se autori i artikullit kishte vepruar në mirëbesim, duke e bazuar artikullin e tij në botime të tjera që shtjellonin të njëjtën temë dhe duke përdorur informacionin e mbledhur për të nxjerë gjykime të vlefshme. Deklaratat e tij ishin vërtetuar nga dëshmitë e një kirurgu veterinar, i cili, sikurse gazetari, dëshironte të alarmonte për tregtimin e pakufizuar të ilaçeve veterinare. Gjithashtu, fakti se autori i artikullit kishte moderuar deklaratat e tij, i kishte shoqëruar pretendimet e tij me dokumente justifikuese dhe ishte pjesëmarrës në një debat që tashmë po zhvillohej, ishin faktorë që tregonin mirëbesimin e tij.
Ajo konsideroi se temat e prekura në artikull ishin çështje me interes të përgjithshëm, të lidhura me mbrojtjen e shëndetit publik. Ajo përsëriti se, në përputhje me detyrimet pozitive të autoriteteve sipas Nenit 8 të Konventës, publiku duhej të kishte qasje në informacionin që i mundësonte të vlerësonte rreziqet ndaj të cilave ata ishin të ekspozuar.
Prandaj, Gjykata nuk pa asnjë arsye për të dyshuar se publikimi i artikullit të kontestuar mund të ishte kuptuar se i kontribonte mbulimit të një teme me interes publik. Kësisoji, ajo konsideroi se gjykatat vendore kishin vendosur një ekuilibër të drejtë midis të drejtës së kërkuesve për respektimin e jetës së tyre private dhe të drejtës së autorit të artikullit për lirinë e shprehjes, dhe i kishte vlerësuar këta interesa konkurrues në dritën e kritereve të vendosura në praktikën e saj gjyqësore. Andaj, në këtë rast nuk kishte pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.
Zyrtare e nga faqja e Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut