Shkelja e të drejtës për jetë private për ndotjen e tokës dhe ujit pranë shtëpisë së kërkuesit

Në rastin Solyanik kundër Rusisë (kërkesa nr. 47987/15, 10.05.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e shtëpisë, jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me ankesën e kërkuesit në lidhje me ndotjen nga një varrezë që ndodhet shumë pranë shtëpisë së tij dhe truallit ngjitur me të. Varreza është zgjeruar gradualisht në drejtim të shtëpisë së kërkuesit që nga viti 1991. Kjo bëri që banorët të ankoheshin tek autoritetet lokale, të cilat urdhëruan mbylljen e varrezave më 1995. Autoritetet gjetën se kapaciteti maksimal i varrezave ishte mbushur dhe se çdo varrim i mëtejshëm do të ishte shkelje e rregullave shëndetësore. Në vitin 2010, kërkuesi dhe fqinjët e tij u ankuan tek autoritetet për mbrojtjen e konsumatorit se varrimet kishin rifilluar. Këto autoritete më pas iu drejtuan shërbimit funeral të qyteti me së paku tri vërejtje. Z. Solyanik e paraqiti rastin para gjykatave në vitin 2013. Gjykatat gjetën se varrimet qenë kryer me shkelje të rregullave shëndetësore dhe më pas urdhëruan këshillin e qytetit të krijojë një zonë të mbrojtjes shëndetësore rreth varrezave deri në 31 dhjetor 2014. Ky urdhër ende nuk është zbatuar.

Gjykata vuri në dukje në veçanti se varreza ishte zgjeruar gradualisht drejt pronës së kërkuesit dhe kishte raporte mjeko-ligjore që konstatonin se toka dhe uji në tokën e tij ishte ndotur në mënyrë të rrezikshme. Andaj, gjeti se Neni 8 ishte i zbatueshëm në rastin konkret edhe pse nuk kishte prova të dëmtimit aktual të shëndetit të kërkuesit. Gjykata arriti në përfundimin se varreza po vepronte duke shkelur hapur ligjin vendor, pavarësisht vërejtjeve nga autoritetet e mbrojtjes së konsumatorit dhe një urdhëri gjykate për të krijuar mbrojtje shëndetësore prej 500 metrash rreth tyre.

Prandaj, Gjykata vlerësoi se kishte pasur ndërhyrje në të drejtën e kërkuesit për respektimin e shtëpisë së tij dhe jetës private e familjare dhe se ajo ndërhyrje kishte arritur shkallë të mjaftueshme rreziku për ta shtyrë zbatimin e Nenit 8 të Konventës. Në lidhje me çështjen nëse ndërhyrja kishte qenë në përputhje me ligjin, Gjykata vuri në dukje se shërbimi funeral i qytetit nuk i kishte marrë parasysh vërejtjet që i ishin bërë për dështimin e krijimit të një zone të mbrojtur.

Për më tepër, vendimi i gjykatës që urdhëron shërbimin funeral dhe këshillin e qytetit për të krijuar një zonë të mbrojtur ende nuk është zbatuar. Qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim për vonesën e tillë. Po ashtu, nuk kanë dhënë asnjë informatë nëse janë marrë masa alternative siç është zhvendosja e kërkuesit ose kryerja e punës së dekontaminimit në tokën e tij. Gjykata arriti në përfundimin se varrezat po përdoreshin duke shkelur hapur rregullat e shëndetit  familjar rregullore, duke e privuar kërkuesin nga mbrojtja efektive e të drejtave të tij sipas Nenit 8.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut