Përgjimi i fshehtë nuk ishte në përputhje me ligjin

Në rastin Haščák kundër Sllovakisë (kërkesat nr. 58359/12, 27787/16 dhe 67667/16, 23.06.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut gjeti, njëzëri, se kishte pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kërkuesi është një biznesmen i njohur i lidhur me një grup me ndikim financiar dhe një partner biznesi i kërkuesit në rastin Zoltán Varga kundër Sllovakisë (nr. 58361/12 dhe 2 të tjerë). Dy urdhra përgjimi ishin lëshuar nga Gjykata Rajonale e Bratisllavës mes viteve 2000 që kishin për qëllim përgjimin e Zoltán Vargës dhe një personi tjetër nga Shërbimi Informativ Sllovak (SIS). Z. Haščák deklaroi se personi tjetër ishte ai. Urdhrat lejonin instalimin e mikrofonëve në banesën e Z. Varga – i ashtuquajturi “operacioni Gorilla” – që rezultoi, ndër të tjera, në audio incizime dhe përmbledhje të transkriptuara analitike të aktivitetit që zhvillohej aty.

Autoritetet vendore kuptuan se audio incizimi u asgjësua nga SIS-i në vitin 2008. Përmbledhjet ishin arkivuar nga kjo agjenci dhe vetëm gjykatat mund t’u qaseshin atyre. Në vitin 2012 Gjykata Kushtetuese vendosi për një ankesë të z. Varga, duke shfuqizuar në mënyrë efektive urdhrat që kishin të bënin me të, duke i shpallur të pajustifikueshme dhe të jashtëligjshme dhe si shkelje të të drejtave të tij themelore. Ndërkohë, në vitin 2011 materiali u publikua në mënyrë anonime në internet që supozohet të jetë përmbledhje analitike e operacionit të SIS-it, që përshkruante z. Haščák teksa diskutonte me të tjerët për një korrupsion masiv në privatizimin e kompanive shtetërore.

Gjykata deklaroi se në një masë të konsiderueshme, ankesat e z. Haščák të lidhura me Nenin 8 janë identike dhe rrjedhin nga sfondi i njëjtë faktik dhe procedural me atë të shqyrtuar në rastin Zoltán Varga. Gjykata kësisoji zbatoi këtë praktikë gjyqësore në rastin në fjalë. 

Megjithëse kishte bazë ligjore, operacioni kishte pasur mangësi të shumta, disa nga të cilat ishte vënë në pah në nivel vendor si përgjigje ndaj ankesave dhe veprimeve të z. Varga. Edhe pse gjykatat vendore nuk bënë gjetje të tilla në rastin e z. Haščák, ato ishin relevante për vlerësimin e rastit të tij. Gjykata përsëriti se, sikurse në rastin Zoltán Varga, me rastin e implementimit të urdhrave të përgjimit, SIS-i praktikisht kishte gëzuar diskrecion që arrinte deri në fuqi të papenguar, e që nuk ishte shoqëruar me masë mbrojtjeje kundër ndërhyrjes arbitrare, siç kërkon shteti i së drejtës. Për më tepër, situata rëndohej me faktin e pakontestueshëm se z. Haščák nuk kishte qenë cak i përgjimit në njërin prej dy urdhrave, në dritë të argumentit të tij të pakontestueshëm se ligji nuk ofronte kurrfarë garance për personat që rastësisht prekeshin nga masat e përgjimit, dhe nga pasiguria themelore rreth statusit praktik dhe procedural të audio incizimit të siguruar në vitin 2018, që supozohet të jetë produkt e SIS-it.

Gjykata kishte gjetur më parë në rastin Zoltán Varga se ruajtja e materialit analitik të nxjerrë nga operacioni i përgjimit ishte subjekt i rregullave konfidenciale pa mbikëqyrje të jashtme. Prandaj, nxjerrja e këtij materiali nuk kishte qenë në përputhje me ligjin. Gjykata kishte vendosur se kjo zbatohej edhe në rastin në fjalë.

Zbatimi i dy urdhrave dhe mbajtja e materialit analitik kësisoji kishte përbërë shkelje të Nenit 8 të Konventës.