Diskriminimi në bazë të gjinisë në lidhje me të drejtën për pension familjar

Në rastin e Beeler kundër Zvicrës (kërkesa nr. 78630/12, 11.10.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut me shumicë votash (12 pro dhe 5 kundër) ka gjetur shkelje të Nenit 14 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) së bashku me Nenin 8 (e drejta për jetën private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me përfundimin e pensionit të vejanit pasi fëmija i tij më i vogël arriti moshën madhore. Ligji Federal për sigurimin e të moshuarve dhe të të mbijetuarve parashikon se e drejta për pensionin e vejanit përfundon kur fëmija më i vogël arrin moshën 18 vjeç, ndërsa kjo nuk vlente për vejushën.

Përpara Gjykatës, kërkuesi argumentoi se ai ishte diskriminuar në kundrejt vejushave në një situatë të krahasueshme, ku ato nuk do të kishin humbur të drejtën e tyre për pension. Qeveria konsideroi se përsëri ishte e justifikueshme të mbështetej në supozimin se bashkëshorti ofronte mbështetjen financiare të gruas, veçanërisht ku ajo kishte fëmijë, dhe kështu siguronte nivel më të lartë të mbrojtjes për vejushat sesa për vejanët. Sipas tyre, dallimi në trajtim kësisoji nuk bazohej në stereotipizimin gjinor por në realitetin social. 

Së pari, Gjykata vuri në dukje se ndërmjet viteve 1997 dhe 2010, kërkuesi kishte marrë pensionin e vejanit dhe kishte organizuar aspektet kryesore të jetës së tij familjare, së paku pjesërisht, në bazë të ekzistencës së pensionit. Ai ishte gjendur në një situatë delikate financiare në moshën 57-vjeçare, sa i përket humbjes së pensionit, dhe vështirësi për t’iu kthyer tregut të punës nga i cili kishte munguar për 16 vjet me radhë. Kjo ishte pasojë e vendimit që kishte marrë vite më parë në interes të familjes së tij, ai ishte përkushtuar tërësisht për kujdesin, duke rritur dhe duke u kujdesur për fëmijët e tij dhe kishte hequr dorë nga puna e tij nga viti 1997 e tutje duke u mbështetur në marrjen e pensionit të të veut. 

Kështu, Gjykata tha se Nenet 8 dhe 14 të Konventës ishin të aplikueshme në rastin në fjalë. Më tej, Gjykata gjeti se megjithëse kërkuesi kishte qenë në situatë analoge në lidhje me nevojat e tij për të jetuar, ai nuk ishte trajtuar në të njëjtën mënyrë si një grua/vejushë. Kështu, ai i ishte nënshtruar një trajtimi të pabarabartë. Qeveria nuk kishte treguar se kishte arsye shumë të forta ose “arsye veçanërisht të rëndësishme dhe bindëse” që justifikonin dallimin në trajtim për shkak të gjinisë. Sipas pikëpamjes së Gjykatës, Qeveria nuk mund të mbështetej në presupozimin se burri e mbështeti gruan financiarisht (koncepti “burri që fiton bukën” ) që të justifikonte dallimin në trajtim që i vinte të vetë në disavantazh në lidhje me vejushat. Gjykata gjeti se legjislacioni në fjalë kontriboi më tepër në përjetësimin e paragjykimeve dhe stereotipeve lidhur me natyrën apo rolin e grave në shoqëri dhe ishte i pafavorshëm si për karrierën e grave, ashtu edhe për jetën familjare të burrave.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut