Artikujt e zbatueshëm të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rast të aksidenteve të trafikut me lëndime të rënda

Rasti Nicolae Virgiliu Tănase kundër Rumanisë (kërkesa nr. 41720/13) kishte të bënte me një gjykatës i cili ishte lënduar rëndë në një aksident trafiku. Procedurat penale ku z. Tănase ishte palë civile, u ndërprenë tetë vjet më vonë me vendim për të mos i ndjekur penalisht dy vozitësit e tjerë të përfshirë në aksident. 

Për tetë vjet me radhë, pati tri seri procedurash në dy nivele jurisdiksioni. Hetuesit shikuan mundësi të ndryshme për të parë se kush ishte fajtor. 

Para Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeirut, z. Tănase u ankua në veçanti pasi hetimi penal ishte joefikas dhe shumë i gjatë dhe se ishte e pamundur që ai të siguronte ndonjë vendim për padinë civile. 

Dhoma e Madhe e shfrytëzoi rastin për të qartësuar se cilat Nene të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut duhen zbatuar në rastin e aksidentit që shkakton lëndime të rënda. 

Gjykata gjeti se as Neni 3 as Neni 2 nuk ishin të zbatueshëm në rastin e kërkuesit dhe i shpallën kërkesat e tij lidhur me këto dispozita të hetimit si të papranueshme, duke qenë se kërkuesi asnjëherë nuk kishte argumentuar gjatë hetimeve se dy vozitësit e tjerë kishin pasur për qëllim ta lëndonin, dhe nuk kishte prova që do të tregonin se kështu edhe kishte ndodhur. Po ashtu, nuk pati qëllim të lëndohet integriteti fizik apo psikik i kërkuesit, e që mbrohet me Nenin 8. 

Duke marrë parasysh lëndimet serioze që z. Tănase i vuajti, u vendos që Gjykata të shqyrtojë pjesën e kërkesës që ka të bëjë me efektivitetin e hetimit ekskluzivisht sipas Nenit 2 (e drejta për jetë) të Konventës Europiane. 

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi:

  • me 13 vota pro dhe 4 kundër, se nuk ka pasur shkelje të Nenit 2 sa i përket hetimit të aksidentit. Hetimi kishte qenë i thuktë dhe nxori një sërë provash që trajtonin shkaqet e aksidentit. Z. Tănase kishte qasje në dosjen e rastit dhe kishte mundësi t’i shfrytëzonte plotësisht mjetet në dispozicion sipas legjislacionit vendor për ta sfiduar vendimin e autoriteteve, dhe për të kërkuar prova shtesë;
  • me 16 vota pro dhe 1 kundër, konstatoi se ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta e qasjes në gjykatë). Edhe pse padia e tij civile asnjëherë nuk ishte trajtuar nga gjykata penale sepse autoritetet i kishin ndërprerë procedurat kundër dy vozitësve të tjerë, ai ka mundur t’i shfrytëzojë kanalet e tjera për t’i mbrojtur të drejtat e tij civile; dhe
  • me 10 vota pro dhe 7 kundër, nuk ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë në kohë të arsyeshme). Periudha prej gati tetë vjetësh për t’i përmbyllur hetimet, duke u nisur nga kompleksiteti i rastit, nuk ishte e tepërt dhe autoritetet kishin ndërmarrë hapa gjatë procedurave për t’i qartësuar rrethanat e rastit.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut