Autoritetet kroate kanë marrë masa të nevojshme për t’i mbrojtur të drejtat e fëmijës – viktimë e supozuar e dhunës seksuale

Në rastin A dhe B kundër Kroacisë (kërkesa nr. 7144/15, 20/06/2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, me katër vota pro dhe tre kundër, ka gjetur se ka pasur shkelje të aspekteve procedurale të Nenit 3 (ndalimi i torturës) dhe Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me një ankesë për të cilën autoritetet kroate kishin dështuar të japin përgjigje të duhur sa i përket pretendimeve të abuzimit seksual të fëmijës. 

Gjykata gjeti se A (nëna) nuk mund të pretendonte se ishte viktimë e shkeljes së të drejtave të saj. Rasti rrjedhimisht duhej të shqyrtohej vetëm në lidhje me B (vajzën). Për më tepër, duke u nisur nga marrëdhënia midis A dhe kryesit të pretenduar, dhe konflikti potencial i interesit ndërmjet A dhe B, Gjykata kërkoi nga Shoqata e Avokatëve të Kroacisë të caktojë një avokat i cili do të parashtronte kërkesën në emër të fëmijës.

Gjykata vlerësoi se kërkesa e kërkueses B kishte tri aspekte: a ekzistonte kornizë e duhur rregullatore dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave të saj sipas këtyre dy Neneve të Konventës; a e kishin zbatuar autoritetet atë kornizë asisoji që i kishte përmbushur detyrimet e tyre procedurale për të kryer hetime efektive; dhe a e kishin shqyrtuar sa duhet autoritetet të drejtat e saj si viktimë e abuzimit seksual. 

Gjykata vërejti se kodi penal kroat ndalonte abuzimin seksual të pretenduar në këtë rast si vepër e rëndë penale kur krahasohet me veprat e njëjta kundër të rriturve. Kodi i procedurës Penale gjithashtu përmbante një dispozitë që siguronte se viktima fëmijë e veprës penale gëzonte të drejta të veçanta. Gjykata gjeti se në përgjithësi Kroacia kishte kornizë të duhur rregullatore dhe ligjore për rrethanat specifike të këtij rasti. 

Me rastin e zbatimit të mekanizmave të tillë të kodit penal, autoritetet duhej të adresonin cënueshmërinë konkrete të kërkuesit si fëmijë që pretendohej se ishte viktimë e abuzimit seksual nga babai i saj, duke i marrë interesat e saj më të mira si konsideratë kryesore dhe t’i ofronin mbrojtje viktimës dhe të shmangnin viktimizime të mëtutjeshme. Gjykata gjeti se A e kishte informuar policinë dhe qendrën për punë sociale lidhur me brengat e saj se vajza e saj po abuzohej seksualisht. Fëmija më vonë ishte kontrolluar nga një ekip ekspertësh dhe një gjinekolog. Nuk u konstatua ndonjë dëshmi e abuzimit seksual pas këtyre hapave. Raportet e mëpasshme psikologjike kishin qenë jokonkluzive: një raport në nëntor të vitit 2014 thoshte se B kishte përshkruar sjelljen seksuale të babait ndaj saj dhe raporti kishte këshilluar terapi të vazhdueshme, ndërsa një raport i dhjetorit të atij viti kishte vërtetuar se B i ishte ekspozuar përmbajtjes dhe / ose sjelljes së një natyre të seksualizuar nga një i rritur, që kishte rezultuar me sjelljet e saj të seksualizuara.

Autoritetet i kishin intervistuar dëshmitarët, përfshirë mësuesit e B, anëtarët e familjes dhe babain. Megjithatë, ata në fund ishin përballur me dy rrëfime kundërshtuese, me pak prova direkte dhe tre mendime të ekspertëve pa përfundime. Autoritetet e prokurorisë kishin vendosur që nuk kishte prova të mjaftueshme për ndjekje penale dhe Gjykata deklaroi se nuk ishte as në pozitë të nxirrte konkluzion për këtë çështje, as nuk mund të zëvendësonte gjetjet e veta të fakteve me ato të autoriteteve vendore, të cilat ishin në pozitë më të favorshme për të vlerësuar provat dhe rëndësinë e dëshmisë së dëshmitarit. 

Gjykata nuk gjeti neglizhencë të dënueshme, keqbesim të dukshëm ose mungesë vullneti nga ana e policisë ose prokurorisë në kryerjen e detyrës së tyre sipas ligjit. Gjykata gjithashtu ishte e kënaqur se autoritetet kishin bërë gjithçka që mund të pritej në mënyrë të arsyeshme prej tyre për të mbrojtur të drejtat e kërkueses dhe të vepronin në interesin e saj më të mirë. Prandaj, nuk ka pasur shkelje të aspektit procedural të Nenit 3 dhe Nenit 8 të Konventës në rrethanat konkrete të çështjes.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut