Bastisja pa numër të mjaftueshëm dëshmitarësh në përputhje me Nenin 8 të Konventës

Në rastin Simovski kundër Maqedonisë së Veriut (kërkesa nr. 46176/14, 24.06.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka shpallur kërkesën si të papranueshme. 

Rasti kishte të bënte me bastisjen e shtëpisë së kërkuesit, pa dëshmitarë të mjaftueshëm, në kundërshtim me kërkesat e ligjit vendor. Aplikuesi është një koleksionist i monedhave të vjetra dhe që nga viti 1993 ka qenë anëtar i “Paionon” – shoqëri numizmatike me qendër në Shkup. Në vitin 2010 një gjykatës hetues i Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkup (“gjykata gjyqësore”) lëshoi një urdhër për të kontrolluar shtëpinë e kërkuesit. Urdhri u lëshua me kërkesë të Ministrisë së Brendshme në bazë të dyshimit të arsyeshëm se kërkuesi kishte kryer këto vepra penale: komplot kriminal; ryshfet; dëmtim ose shkatërrim të trashëgimisë kulturore; përvetësim të trashëgimisë kulturore; dhe eksportim të trashëgimisë kulturore.

Gjykata konsideroi se bastisja e banesës së kërkuesit përbënte ndërhyrje në “shtëpinë” e tij sipas kuptimit të Nenit 8 të Konventës, gjë që e bën të panevojshme përcaktimin nëse kjo përfshinte edhe “jetën e tij private” në kontekstin e ankesave të tij para Gjykates.

Ishte gjithashtu e qartë se bastisja kishte bazë të përgjithshme në të drejtën vendore, siç interpretohet nga gjykatat vendore në çështjen në fjalë, pasi, ndër të tjera, është urdhëruar nga një gjykatës hetues. Kjo çështje është krejtësisht e ndarë nga çështja e mungesës së dëshmitarit të dytë gjatë kontrollit, çështje e cila duhet të merret parasysh në lidhje me garancitë procedurale. Bastisja në fjalë u urdhërua me qëllim të zbulimit të provave fizike të veprave të rënda, dhe rrjedhimisht ndjekjes së një “qëllimi legjitim”, përkatësisht parandalimin e krimit dhe mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Prandaj, ajo që mbetet për t’u zgjidhur është nëse ndërhyrja në shtëpinë e kërkuesit ishte “e nevojshme në një shoqëri demokratike” sipas kuptimit të Nenit 8 të Konventës – domethënë, nëse ndërhyrja ishte proporcionale me qëllimin legjitim të ndjekur.

Duke iu kthyer urdhrit të bastisjes, Gjykata vëren se ajo ishte hartuar në terma relativisht të gjerë. Megjithatë, edhe pse mund të ishte e realizueshme të hartohej urdhri në terma më precizë, ishte e mjaftueshme, në rrethanat që fushëveprimi i tij të ishte i kufizuar duke iu referuar natyrës së veprave të pretenduara, dhe që më vonë kërkuesit iu sigurua një dokument duke vërtetuar sekuestrimin e të gjitha objekteve të gjetura (përfshirë ato që u përkisnin prindërve të tij) gjatë bastisjes, së bashku me disa objekte shtesë që nuk ishin shënuar në procesverbalin e bastisjes.

Në fund, në lidhje me garancitë procedurale, Gjykata vëren se ndërsa vetëm një dëshmitar ishte i pranishëm gjatë bastisjes, në vend të dy dëshmitarëve, vetë kërkuesi ishte gjithashtu i pranishëm. Për më tepër, ai gjithashtu nënshkroi procesverbalin zyrtar të operacionit të bastisjes dhe konfiskimit dhe certifikatën e sekuestrimit, dhe nuk bëri kundërshtime as për procedurën e bastisjes si të tillë, as për arsyetimin e urdhrit të bastisjes. Andaj, Gjykata është e mendimit se kërkuesit iu siguruan garanci adekuate dhe efektive kundër çdo abuzimi gjatë vetë bastisjes.

Duke pasur parasysh këto rrethana, Gjykata nuk mund të mos konkludojë se ndërhyrja në “shtëpinë e kërkuesit” ishte “në përputhje me ligjin”, ishte ndërmarrë në ndjekje të një qëllimi legjitim dhe ishte “e nevojshme në një shoqëri demokratike”, për qëllimet e Nenit 8 të Konventës. Kështu, kjo pjesë e kërkesës është qartazi e pabazuar dhe duhet të refuzohet në përputhje me Nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut