29 Pri Bindja për vetëvrasjen e asistuar nuk shkeli Konventën
Në rastin Lings kundër Danimarkës (kërkesa nr. 15136/20, 12.04.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkuesi është mjek dhe themelues i një organizate pro vetëvrasjes së asistuar, Mjekët në Favor të Eutanazisë. Nën këtë ombrellë, ai hartoi një udhëzues të quajtur “Ilaçet e përshtatshme për vetëvrasje”, të cilën e publikoi në internet, ligjërisht sipas legjislacionit danez. Dokumenti ishte udhëzues se si të bëhej vetëvrasja, duke përfshirë përshkrime të hollësishme të ilaçeve të ndryshme, dozat e tyre të kërkuara, metodat fizike e kështu me radhë. Rasti kishte të bënte me dënimin e tij për dy akuza për vetëvrasje të asistuar dhe një akuzë për tentim vetëvrasjen e asistuar. Ai pohonte se vetëm kishte shpërndarë informata rreth vetëvrasjes.
Palët nuk kundërshtuan se dënimi i kërkuesit kishte qenë ndërhyrje në lirinë e tij të shprehjes. Gjykata procedoi mbi këtë bazë. Gjykata gjeti gjithashtu se kjo parashishej me ligj (Neni 240 i Kodit Penal). Gjykata vuri në dukje se vetëvrasja e asistuar kishte qenë e paligjshme në Danimarkë që nga viti 1930, dhe se ligji gjegjës parashikonte se, për t’u dënuar, duhej të kishte ndodhur një akt specifik i ndihmës për vetëvrasje.
Megjithatë, Gjykatës nuk iu kërkua të përcaktonte nëse kriminalizimi i vetëvrasjes së asistuar ishte i justifikuar, por vetëm nëse ishte “i nevojshëm në një shoqëri demokratike” në këtë rast. Gjykata vuri në dukje në këtë drejtim se autoritetet kanë detyrë për të mbrojtur anëtarët e pambrojtur të shoqërisë. Gjykata theksoi se sipas Konventës nuk ekzistonte asnjë e drejtë për të ndihmuar vetëvrasjen. Gjykata mori parasysh konkluzionet përfundimtare të Gjykatës së Lartë dhe nuk pa asnjë arsye për të mos qenë dakord me to, në veçanti me këshillën e z. Lings, edhe pse në bazë të udhëzuesit tê tij për vetëvrasje, një person ishte shtyrë të bënte vetëvrasje. Ndonëse publikimi i udhërrëfyesit kishte qenë i ligjshëm, rasti mbështetej në këshillat specifike që u jepeshin individëve. Gjykata konstatoi se as ndëshkimi as dënimi nuk kishin qenë të tepruara në këtë rast.
Në përgjithësi, arsyet e gjykatave vendore për marrjen e vendimit – mbrojtjen e shëndetit dhe moralit dhe të drejtat e të tjerëve – kishin qenë të ligjshme, dhe ata kishin vepruar brenda diskrecionit të gjerë (“kufirit të vlerësimit”) që u jepej autoriteteve në këtë rast të veçantë.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut