14 Nën Detyrimi i shtetit për të mbrojtur pjesëtarët LGBT nga aktet homofobike të dhunës dhe për t’i hetuar ato krime
Rasti Romanov dhe të tjerët kundër Rusisë (kërkesa nr. 58358/14, 12.9.2023) lidhet me dështimin e pretenduar të shtetit për të siguruar mbrojtje për njëmbëdhjetë kërkues që i përkasin komunitetit lezbik, homoseksual, biseksual, transgjinor dhe interseksual (LGBTI), nga aktet e dhunës të motivuara nga homofobia, mungesa e hetimeve efektive për këto incidente dhe ndalimi i paligjshëm nga policia.
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri gjeti shkelje të neneve të mëposhtme të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut: Neni 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) i lexuar në dritën e Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit) në lidhje me shtatë prej kërkuesve; shkelje e Nenit 3 (hetimi efektiv) i lexuar në dritën e Nenit 14 në lidhje me tetë prej kërkuesve; dhe shkelje e Nenit 11 (liria e tubimit dhe shoqërimit) i marrë vetëm dhe i lexuar në dritën e Nenit 14 në lidhje me tetë prej kërkuesve. Gjykata gjithashtu konstatoi, në lidhje me tre prej kërkuesve shkelje të Nenit 5 § 1 (e drejta për liri dhe siguri); dhe shkelje të Nenit 11.
Rasti lidhet me incidente në të cilat kërkuesit që morën pjesë në protesta të autorizuara pro-LGBTI iu nënshtruan sulmit verbal dhe fizik nga kundërprotestuesit, ose u vunë në shënjestër për të marrë pjesë në ngjarje që synonin të mbështesnin individët LGBT ose thjesht për të qenë të pranishëm në hapësira publike. Disa prej tyre kishin pësuar lëndime fizike. Kërkuesit kanë bërë pretendime se ato ishin sulme të motivuara nga urrejtja. Tutje, tre kërkues kanë bërë pretendime duke pohuar se janë ndaluar në mënyrë të paligjshme nga policia, para fillimit të demonstratës së autorizuar pro-LGBTI në të cilën ata do të merrnin pjesë.
Policia, e cila duhej të ruante sigurinë gjatë protestave, nuk ndërhyri menjëherë në sulme. Marrja në pyetje dhe hetimet, në rastet kur janë inicuar, kanë zgjatur me vite. Në disa raste, sulmuesit nuk u identifikuan, ose nuk mund të dënoheshin për shkak të skadimit të periudhës së paraburgimit. Megjithëse kërkuesit kërkuan hetimin e motiveve të urrejtjes, autoritetet i hodhën poshtë këto pretendime.
The Equal Rights Trust, ILGA-Europe, Rrjeti LGBT Rus dhe Human Rights Watch ofruan komente të palëve të treta, duke deklaruar se koncepti i “urrejtjes kundër një grupi të caktuar shoqëror” si faktor rëndues në vepra penale, që mund të mbulojnë krimet kundër personave LGBTI, nuk ishte aplikuar kurrë më parë për rastet që përfshinin këtë grup të caktuar.
Duke qenë se shkeljet e pretenduara të Konventës ndodhën para 16 shtatorit 2022, data në të cilën Federata Ruse ndërpreu anëtarësimin e saj në Konventë, Gjykata për këtë arsye vendos se ka juridiksion për të shqyrtuar kërkesat.
Gjykata konstatoi se autoritetet ruse duhet të kishin parashikuar rreziqet e sigurisë në ato tubime pro-LGBT dhe kishin kohë për të vendosur masa sigurie për të mbrojtur pjesëmarrësit duke pasur parasysh qëndrimet armiqësore të pjesëve të shoqërisë ruse ndaj komunitetit LGBTI. Për më tepër, kërcënime serioze kishin qarkulluar në mediat sociale para demonstratave, të cilat u sollën në vëmendjen e policisë, kështu që ata ishin të detyruar të përdorin çdo mjet për të neutralizuar kërcënimet ose për të shpërshkallëzuar tensionin.
Duke pasur parasysh se hetimet u vonuan ose nuk u zhvilluan plotësisht, Gjykata nuk i vlerësoi ato si “efektive” në kuptim të Nenit 3 të Konventës. Përveç kësaj, motivet e mundshme të urrejtjes pas sulmeve nuk ishin marrë parasysh pasi autoritetet hetuese kishin hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur pretendimet e kërkuesve se sulmet ishin homofobike. Siç deklaroi gjykata, “Gjatë hetimit të incidenteve të dhunshme siç është keqtrajtimi, autoritetet shtetërore gjithashtu kanë për detyrë të ndërmarrin të gjitha hapat e arsyeshëm për të demaskuar motivet e mundshme diskriminuese për një akt të dhunshëm. Ato duhet të shqyrtojnë të gjitha faktet që mund të jenë tregues të dhunës së nxitur nga urrejtja ndaj viktimës, përfshirë motivet e mundshme homofobike.” (par. 76).
Kësisoji, Gjykata konstatoi se kishte pasur shkelje të Nenit 3 të Konventës të lexuar në dritën e Nenit 14 si në gjymtyrën e saj substanciale ashtu edhe në atë procedurale.
Gjykata gjithashtu gjeti shkelje të së drejtës së kërkuesve për liri sipas Nenit 5 dhe shkelje të detyrimeve negative të shtetit sipas Nenit 11 (detyrimet e shkelura duke parandaluar pjesëmarrjen e kërkuesve në ngjarje përmes arrestimit të paligjshëm) të marra në veçanti. Lidhur me situatën e një kërkuesi, Gjykata vuri në dukje se “edhe pse gjykatat vendore në procedurën civile konstatuan se privimi nga liria i z. Prokopenko kishte qenë i paligjshëm, shuma prej 27 eurove që i është dhënë atij në lidhje me dëmin jopasuror nuk mund të konsiderohet e përshtatshme dhe dëmshpërblim i mjaftueshëm për shkeljen e pretenduar të Konventës” (paragrafi 86).
Meqenëse autoritetet vendore nuk kishin arritur të siguronin siç duhet protestat duke mos penguar fyerjet homofobike dhe dhunën fizike nga kundërprotestuesit, Gjykata arriti në përfundimin se shteti nuk kishte përmbushur detyrimet e tyre pozitive sipas nenit 11 (për të siguruar ushtrimin efektiv të lirisë së tubimit) të Konventës të marra vetëm dhe të lexuara në dritën e Nenit 14.