Detyrimi për të zbuluar të dhënat personale të komentuesve të lajmeve nuk ishte në përputhje me Konventën

Në rastin Standard Verlagsgesellschaft mbH kundër Austrisë (nr. 3) (kërkesa nr. 39378/15, 07.12.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me urdhrat e gjykatës që kompania mediale kërkuese të zbulonte kredencialet
e përdoruesve të regjistruar që kishin postuar komente në faqen e saj, derStandard.at. Kur regjistroheshin si përdorues në faqe, e cila lejon komentimin e artikujve, individët duhej të jepnin emrin dhe emalin, si dhe opsionalisht adresën postare. Faqja e bënte të qartë se ky informacion nuk do të shihej publikisht dhe se kompania kërkuese do ta zbulonte atë vetëm nëse kërkohet me ligj. Urdhri i gjykatës për zbulimin e të dhënave kishte ardhur pas komenteve që dyshohej se lidhnin politikanët, ndër të tjera, me korrupsion ose neonazistë, të cilat kompania kërkuese i kishte hequr, megjithëse kishte refuzuar të zbulonte kredencialet e komentuesve.

Duke u mbështetur në Nenin 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, kompania kërkuese u ankua për urdhrin për të zbuluar të dhënat personale të përdoruesve të portalit të saj.

Kompania kërkuese pretendonte se të dhënat e përdoruesve në fjalë përbënin burime gazetarore dhe
kësisoji mbroheshin nga konfidencialiteti redaktorial në të njëjtën mënyrë si të dhënat e autorëve të letrave
të lexuesve të publikuara në gazeta. Qeveria pretendonte se roli i kompanisë kërkuese si nikoqir që ofron forum diskutimi në faqen e vet dallonte nga roli i saj si botuese artikujsh. Si ofrues i hostit, në përputhje me Aktin e Tregtisë Elektronike, ajo kishte për detyrë t’u jepte të dhëna të caktuara individëve që pretendonin në mënyrë të besueshme interes ligjor mbizotërues.

Gjykata konstatoi se meqë komentuesit i ishin drejtuar publikut dhe jo gazetarit, ata mund
të mos konsiderohen të jenë “burime” gazetarore. Megjithatë, kishte një lidhje midis
publikimit të artikujve nga kompania kërkuese dhe mbajtjes së komenteve nën ato artikuj në portalin
e saj. Gjykata gjithashtu konsideroi se detyrimi për të zbuluar kredencialet e përdoruesve do të kishte
efekt shtypës mbi kontributin në debat. Ajo përsëriti se Konventa nuk parashihte
të drejtën absolute mbi anonimitetin online. Megjithatë, anonimiteti kishte qenë prej kohësh mjet për të shmangur hakmarrjet
ose vëmendje të padëshiruar. Si i tillë, anonimiteti mund të promovonte rrjedhën e lirë të opinioneve, ideve dhe
informatave duke përfshirë, veçanërisht, ato në internet. Gjykata vërejti se ky anonimitet nuk do të ishte
efektiv nëse kompania kërkuese nuk mund ta mbronte atë me mjetet e veta. Zbulimi i tij kësisoji
ndërhyri në të drejtën e kompanisë kërkuese për lirinë e shtypit. 

Gjykata gjithashtu konsideroi se komentet në fjalë nuk kishin qenë as gjuhë urrejtjeje dhe as nxitje
e dhunës, dhe kishte qenë për dy politikanë dhe një parti politike në një debat politik me interes
publik. Ishte detyrë e gjykatave vendore në këtë rast të balanconin interesat konkurruese:
këtë kishin dështuar ta bëjnë. Gjykata vlerësoi se gjykatat vendore kishin dështuar në përgjithësi të balanconin të drejtat në fjalë dhe nuk kishin dhënë arsye të mjaftueshme për të justifikuar ndërhyrjen në të drejtat e kompanisë kërkuese. Prandaj, urdhrat e gjykatës nuk ishin “të nevojshme në një shoqëri demokratike”, dhe për rrjedhojë kishte pasur shkelje të Nenit 10 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut