Dhuna në familje

Në rastin A.E. kundër Bullgarisë (kërkesa nr. 53891/20, 23.05.2023) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vendosi, njëzëri, se ka pasur shkelje të Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe shkelje të Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit) në lidhje me Nenin 3. 

Rasti kishte të bënte me ankesat e paraqitura para prokurorëve në Bullgari se znj. A.E., atëherë vetëm 15 vjeçe, kishte qenë viktimë e abuzimit në familje, përfshirë rrahjen, shkelmimin dhe ngulfatjen, nga burri 23-vjeçar me të cilin ajo jetonte. Kërkuesja pretendonte se në mbrëmjen e 8 shtatorit 2019 ajo ishte rrahur nga i dashuri i saj i rritur, D.M. Ajo u kontrollua në një sallë urgjence nga një mjek ligjor i cili, në raportin e tij mjekësor, arriti në përfundimin se ajo kishte pësuar dëmtime traumatike që mund të ishin shkaktuar në mënyrën dhe kohën që ajo përshkroi dhe i kishin shkaktuar dhimbje dhe vuajtje. Shërbimet
sociale njoftuan prokurorinë se ndaj një të miture ishte kryer krim, duke përshkruar incidentin e mësipërm, si dhe disa rrahje të mëparshme, dhe kërkuan hapjen e procedimit penal paragjyqësor. Megjithatë, prokurori i qarkut, pas kontrolleve paraprake të policisë, refuzoi ta bënte këtë, duke konstatuar se ishte kryer vetëm një vepër penale objekt i ndjekjes penale private, përkatësisht lëndime të lehta trupore, dhe se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore që prokurorët të ushtronin kompetencën e tyre diskrecionale për të hapur procedime penale. Ankesat e mëpasme të kërkueses u hodhën poshtë.

Gjykata vuri re se dhuna fizike që A.E. kishte pësuar, bashkë me frikësimin dhe shqetësimin që ajo duhet të ketë ndjerë, ishte mjaft serioze për të cilësuar trajtimin që ajo kishte përjetuar si “degradues”. Sa i përket ndjekjes penale private si mjet për të siguruar drejtësi në rastet e keqtrajtimit në familje, Gjykata përsëriti se kjo i vendos viktimës një barrë të tepërt dhe nuk mund të parandalojë përsëritjen e incidenteve të ngjashme. Që dhuna në familje të ndiqej penalisht publikisht sipas ligjit bullgar, duheshin përcaktuar akte të përsëritura të dhunës. Duke pasur parasysh prirjen që dhuna të përkeqësohej me kalimin e kohës, kërkesa që shteti të ndërhyjë për dhunën e përsëritur nuk përmbushi detyrimin e autoriteteve për t’iu përgjigjur menjëherë pretendimeve për dhunë në familje dhe për të dëshmuar zell të veçantë në atë kontekst. 

Sa i përket refuzimit të autoriteteve vendore për t’i cilësuar sulmet si dhunë në familje pasi marrëdhënia e çiftit nuk kishte përmbushur përkufizimin ligjor, Gjykata konstatoi se kjo do të filtronte shumë incidente dhune ndaj grave nga partnerët e tyre dhe nuk do të përmbushte detyrimet e Bullgarisë nga Neni 3. Gjykata vlerësoi se Bullgaria nuk kishte vendosur sistem efektiv për të ndëshkuar të gjitha format e dhunës në familje dhe për të siguruar mbrojtje të mjaftueshme për viktimat. Gjykata vuri në dukje se shërbimet sociale kishin informuar prokurorin për natyrën e përsëritur dhe serioze të sulmeve të pretenduara, të cilat ishin hetuar. Por, prokurori u mbështet tërësisht në hetimin paraprak. Refuzimi për të nisur procedimin penal ishte edhe më i rëndë duke pasur parasysh situatën e ndjeshme të kërkueses. Gjykata vendosi se Bullgaria nuk kishte vendosur sistem efektiv për të ndëshkuar të gjitha format e dhunës në familje dhe për të siguruar mbrojtje të mjaftueshme për viktimat. Shteti dështoi ta mbronte A.E. në mënyrë adekuate ose me ligj ose faktisht, duke çuar në shkelje të Nenit 3.

Gjykata vuri në dukje se ky ishte rasti i tretë i tillë kundër Bullgarisë dhe se gratë janë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje në Bullgari. Si viktimë femër e dhunës në familje në Bullgari, A.E. kishte qenë në pozitë të pabarabartë e cila kishte kërkuar veprim nga ana e autoriteteve për të korrigjuar disavantazhin e lidhur me gjininë e saj në atë kontekst. Qeveria kishte dështuar të tregonte se cilat politika kishte ndjekur për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje dhe për të ndëshkuar shkelësit. Gjykata konstatoi në rastin e kërkueses, sipas Nenit 3, se legjislacioni përkatës ishte i mangët. Tutje, Gjykata paralajmëroi shtetin për mungesën e vazhdueshme të statistikave zyrtare gjithëpërfshirëse, duke pasur parasysh nivelin e dhunës në familje në Bullgari dhe detyrimin për t’i kushtuar vëmendje të veçantë efekteve grave dhe për të vepruar në përputhje me rrethanat. Gjithashtu, Gjykata vuri në dukje se Bullgaria nuk e kishte ratifikuar Konventën e Stambollit. Duke qenë se A.E. duhej të dëshmonte se ajo kishte qenë individualisht viktimë e paragjykimeve nga ana e autoriteteve, Gjykata konkludoi se ka pasur shkelje të Nenit 14 në lidhje me Nenin 3.