Diskriminimi gjinor për shkak të refuzimit të sigurimit shëndetësor gjatë shtatzënisë

Në rastin Jurčić kundër Kroacisë (kërkesa nr. 54711/15, 04.02.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit), së bashku me Nenin 1 të Protokollit Nr. 1 (mbrojtja e pronës) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Kërkuesja kishte punuar pothuajse pa ndërprerje nga viti 1993 deri më 1 nëntor 2009. Më 17 nëntor 2009, ajo iu nënshtrua fertilizimit in vitro (IVF). Më 27 nëntor, kërkuesja mori një pozitë në një kompani në Split dhe u regjistrua në skemën e sigurimit shëndetësor kroat. Ajo mësoi për shtatzëninë e saj në dhjetor dhe iu caktua pushimi mjekësor për shkak të ndërlikimeve të lidhura me shtatzëninë. Kërkuesja aplikoi për pagesë të rrogës gjatë pushimit shëndetësor. Autoritetet morën përsipër të rishikojnë statusin e sigurimit shëndetësor të kërkueses. Ata ia refuzuan sigurimin e punës në tërësi, duke konsideruar se punësimi i saj ishte fiktiv dhe synonte vetëm sigurimin e pagesës gjatë shtatëzënësisë. Ata gjithashtu konstatuan se ajo kishte qenë e papërshtatshme nga ana mjekësore për të marrë punë në një qytet të largët për shkak të procesit të IVF-së. 

Gjykata vuri në dukje se, duke vendosur çështjen e kërkueses, autoritetet vendase ishin kufizuar në përfundimin se, për shkak të procedurës IVF, ajo kishte qenë e papërshtatshme nga pikëpamja mjekësore për të marrë pozitën në fjalë, duke lënë të nënkuptohet se ajo duhej të përmbahej nga ky veprim deri në konfirmimin e shtatzënisë së saj. Kjo qasje ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me të legjislacionin vendor dhe atë ndërkombëtare dhe ishte e barabartë me dekurajimin e kërkueses nga kërkimi i punës për shkak të shtatzënisë së saj. Vetëm kjo në këndvështrimin e Gjykatës ishte e mjaftueshme për të konkluduar se kërkuesja ishte diskriminuar në bazë të gjinisë së saj. 

Për më tepër, Gjykata vuri në dukje se autoritetet kroate nuk kishin arritur të tregonin se si marrja në punë e kërkueses mund të ishte mashtruese pasi ajo nuk mund të dinte kur nisi punën nëse procedura e IVF-së kishte qenë e suksesshme dhe nuk kishte qenë nën ndonjë detyrim ligjor për të informuar punëdhënësin e saj për këtë. As autoritetet nuk kishin ekzaminuar nëse ajo në të vërtetë kishte filluar punën ose nëse IVF-ja së cilës i ishte nënshtruar kishte nevojë për mungesë të saj nga puna për arsye shëndetësore. 

Së fundmi, Gjykata paralajmëroi se stereotipet gjinore nga autoritetet siç u pa në çështjen e kërkueses paraqitën pengesë serioze për arritjen e barazisë reale thelbësore gjinore – një nga qëllimet kryesore të Shteteve anëtare të Këshillit të Europës.

Duke theksuar se një refuzim për të përdorur ose njohur një përfitim të lidhur me punësimin për një grua shtatzënë bazuar në shtatzëninë e saj, përbën diskriminim të drejtpërdrejtë për shkak të gjinisë, Gjykata arriti në përfundimin se ndryshimi në trajtimin e kërkueses nuk ishte justifikuar objektivisht, duke çuar në shkelje e të drejtave të saj të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut