30 Qer Diskriminimi i bazuar në segregimin e fëmijëve romë dhe egjiptianë në shkollën fillore
Në rastin X dhe të tjerët kundër Shqipërisë (kërkesat nr. 73548/17 dhe 45521/19, 31,05.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut gjeti shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkuesit janë 18 shtetas shqiptarë me etni rome dhe egjiptiane që së bashku përbëjnë gjashtë familje. Kërkuesit pretendojnë se nxënësit romë ose egjiptianë përbëjnë 89-100% të nxënësve në shkollën fillore Naim Frashëri – të cilën e ndjekin fëmijët e tyre – në një vit mesatar, përkundër faktit se janë pakicë në qytet. Rasti ka të bëjë me ankesat e kërkuesve drejtuar autoriteteve lidhur me këtë situatë dhe urdhërin e mëpasshëm të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi që Ministria e Arsimit dhe Sportit të marrë “masa të menjëhershme për të përmirësuar gjendjen dhe për të ndryshuar raportin” mes romëve/egjiptianëve dhe nxënësve të tjerë që ndjekin shkollën”.
Gjykata vuri në dukje në fillim se e drejta për arsimim gjithpërfshirës, në gëzimin e së cilës kërkuesit pretenduan se ishin trajtuar ndryshe, ishte paraparë me ligjin vendor (Neni 18 i Kushtetutës dhe Ligji i Arsimit i vitit 2012).
Qeveria nuk e vuri në diskutim se situata e kërkuesve përbënte segregacion dhe se u kërkuan masa desegregimit, ndërsa argumentet e tyre të vetme ishin se kjo gjendje kishte qenë e paqëllimshme. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se shkolla “Naim Frashëri” nuk u krijua ekskluzivisht për fëmijët romë/egjiptianë. Sipas pikëpamjes së Gjykatës, pyetja kryesore është pra nëse Qeveria e përmbushi detyrimin e saj pozitiv për të ndërmarrë hapa për të korrigjuar pabarazinë faktike të kërkuesve.
Gjykata gjeti se Qeveria nuk kishte vënë në pah ndonjë arsye objektive për moszbatimin e dy prej masave, përkatësisht zgjatjen e programit të mbështetjes ushqimore në katër shkolla të tjera në këtë zonë – gjë që me sa duket mund të nxiste disa nga nxënësit romë/egjiptianë të shkollës për t’u transferuar në shkolla të tjera – dhe bashkimin e shkollës “Naim Frashëri” me tre shkolla të tjera. Të dy këto masa kishin gjasa të kenë efekt më të shpejtë dobiprurës për fëmijët romë dhe egjiptianë. Në lidhje me këtë, Gjykata nuk ishte në gjendje të pranonte justifikimin e autoriteteve se shkrirja nuk u zbatua për shkak të rindërtimit të shkollës “Naim Frashëri”, pasi puna e rindërtimit zgjati vetëm për një periudhë të kufizuar kohe. Deri në fund të vitit shkollor 2019/20 90% e nxënësve romë/egjiptianë vazhduan të përbënin 90% të nxënësve të shkollave.
Duke pasur parasysh argumentin e Qeverisë se segregacioni në fjalë ndodhi për shkak të përqendrimit të popullsisë rome/egjiptiane në lagje të caktuara pranë shkollës së segreguar, propozimi i autoriteteve për ta bashkuar atë me shkollat e pasegreguara në qytet dukej zgjidhje vërtet shumë e rëndësishme. Një shkrirje e tillë mund të kishte kontribuar në krijimin e shkollave ku përpjestimi mes romëve/egjiptianëve dhe nxënësve të tjerë ishte në mënyrë të arsyeshme proporcional me përpjestimin e qytetit me shkollat fillore. Për më tepër, autoritetet kishin zbatuar tashmë zgjidhje të ngjashme në lidhje me shkollat e segreguara në pjesë të tjera të vendit ku përveç kësaj ata kishin siguruar edhe transportin për nxënësit. Ndërsa nuk i takon Gjykatës të tregojë masat specifike që duhen ndërmarrë për të ndrequr një situatë të segregimit së shkollave, ishte e vështirë të kuptoheshin arsyet pse kjo metodë nuk u zbatua edhe në rastin e tanishëm.
Gjykata konsideroi se në këtë rast vonesat dhe mungesa e zbatimit të masave të përshtatshme shpaguese nuk mund të konsiderohen se kanë pasur justifikim objektiv dhe të arsyeshëm. Andaj ka pasur shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 12 të Konventës.
Referencat nga faqja e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut