Diskriminimi në bazë të gjinisë për shkak të moshës së ndryshme statutore të daljes në pension

Në rastin Moraru dhe Marin kundër Rumanisë (kërkesat nr. 53282/18 dhe 31428/20, 20.12.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vendosi, njëzëri, se kishte pasur shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 12 (ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me moshën e pensionimit të detyrueshëm për nëpunëset civile në Rumani, që përpara ishte caktuar më ulët se ajo për burrat. Duke u mbështetur në Nenin 1 të Protokollit Nr. 12 (ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Konventës, kërkuesit u ankuan se detyrimi për të dalë në pension në moshën e detyrueshme të daljes në pension për gratë kishte përbërë diskriminim. Znj. Marin gjithashtu u mbështet në Nenin 14 (ndalimi i diskriminimit) të marrë së bashku me Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare). 

Gjykata vendosi që çështja të shqyrtohej sipas Nenit 1 të Protokollit Nr. 12 të Konventës. Në praktikën gjyqësore të Gjykatës ishte konstatuar vazhdimisht se dallimet në moshën e daljes në pension mes gjinive përbënin ndryshim trajtimi, siç kishte qenë rasti kur ishin paraqitur këto kërkesa. Lidhur me pajtueshmërinë e kësaj situate me Konventën, Gjykata vuri në dukje se situata kishte qenë e lidhur me rregullimet e sigurisë sociale në Shtet. Ajo vërejti se gjykatat vendore nuk kishin arritur të adresonin argumentet përkatëse rreth së drejtës së Bashkimit Europian ose praktikës gjyqësore të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Europian. Qeveria nuk bëri asnjë argument lidhur me kostot financiare apo të tjera për shoqërinë për lejimin e grave për të punuar deri në moshën 65 vjeç. Në të vërtetë, situata ishte rregulluar më vonë në Rumani nëpërmjet legjislacionit dhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese (nr. 387/2018).

Një vendim tjetër i asaj gjykate (nr. 112/2021) e shtriu atë dispozitë te shërbimi civil. Gjykata kësisoji erdhi në përfundim se duke mos u dhënë kërkuesve opsionin e vazhdimit të punës pas moshës së pensionimit për gratë deri kur e arrinin moshën e pensionimit të burrave përbënte diskriminim në baza gjinore që nuk ishte arsyetuar në mënyrë objektive ose të nevojshme, duke shkelur kështu Nenin 1 të Protokollit Nr. 12 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut