ECRI publikoi rekomandime për parandalimin dhe luftimin e jotolerancës dhe diskriminimit ndaj personave LGBTI

Në shtator 2023 Komiteti Europian kundër Racizmit dhe Jotolerancës (ECRI) i Këshillit të Europës publikoi Rekomandimin e Përgjithshëm të Politikave Nr. 17 për parandalimin dhe luftimin e jotolerancës dhe diskriminimit ndaj personave LGBTI. 

ECRI u bëri thirrje politikëbërësve në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar të marrin parasysh diversitetin brenda komunitetit LGBTI dhe një qasje ndërsektoriale në përshtatjen e masave të tyre. Kjo do të thotë se politikëbërësit duhet të njohin nënkategoritë e ndryshme nga të cilat vjen komuniteti LBGTI dhe karakteristikat e tjera të tyre, duke përfshirë “racën”, origjinën etnike ose kombëtare, shtetësinë, fenë, gjininë dhe statusin e aftësisë së kufizuar, të cilat mund të ndikojnë në forma të ndryshme të diskriminimit me të cilat ata përballen. ECRI gjithashtu theksoi “përvojat unike, sfidat dhe dobësitë me të cilat përballen gratë lezbike, biseksuale, transgjinore dhe interseksuale”.

Përkundër progresit të bërë në mbrojtjen dhe mbështetjen për të drejtat e LGBTI në anëtarët e KiE-së, ka ende sfida të mëdha që vazhdojnë, të cilat theksojnë nevojën për përpjekje të mëtejshme për të adresuar shqetësimet me të cilat përballet komuniteti LGBTI. Sfidat përfshijnë një sërë shqetësimesh, duke përfshirë mungesën e të dhënave të besueshme, nevojën për arsim gjithëpërfshirës, njohjen e çifteve të së njëjtës gjini dhe lidhjet familjare, mungesën e njohjes gjinore, të drejtat e personave interseks, gjuhën e urrejtjes, fushatat kundër gjinisë, ndër të tjera.

Kësisoji, ECRI ka ofruar udhëzime që synojnë të ndihmojnë shtetet anëtare në parandalimin dhe adresimin e rasteve të jotolerancës dhe diskriminimit ndaj komunitetit LGBTI, të cilat duhet të bëhen në përpjekje bashkëpunuese me komunitetin.

Rekomandimet ofrohen në disa fusha, duke përfshirë parimet e përgjithshme, politikat, koordinimin institucional, parandalimin, mbrojtjen, hetimin, ndjekjen penale dhe masat ligjore procedurale. Këto rekomandime përfshijnë:

  • masat e marra për të luftuar diskriminimin dhe jotolerancën ndaj personave LGBTI kryhen në të gjitha nivelet administrative (lokale/rajonale dhe kombëtare), dhe lehtësojnë përfshirjen e një game të gjerë aktorësh nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë;
  • të zhvillohen ligje, politika, plane veprimi dhe masa, të cilat njohin karakteristikat e ndryshme personale të personave LGBTI dhe qasjet e kryqëzimit;
  • të sigurohet që legjislacioni penal kombëtar të mbulojë akte të natyrës penale me motiv anti-LGBTI, dhe se çdo motiv i tillë mund të konsiderohet si rrethanë rënduese në përcaktimin e dënimeve;
  • të sigurohet një kuadër ligjor efektiv për njohjen e partneriteteve LGBTI dhe lidhjeve të tjera familjare të personave LGBTI në situata ndërkufitare;
  • të sigurohet që interesat më të mira të fëmijës të jenë një konsideratë parësore në hartimin e politikave dhe në të gjitha vendimet administrative dhe gjyqësore për fëmijët LGBTI dhe për fëmijët e personave LGBTI;
  • të garantohet se marrja e njohjes ligjore gjinore nuk varet nga personat që u nënshtrohen kërkesave abuzive, duke përfshirë sterilizimin e pavullnetshëm dhe/ose procedurat mjekësore, diagnozat e shëndetit mendor;
  • të ndërmerren hapa për miratimin e masave ligjore gjithëpërfshirëse, efektive dhe shtrënguese, të cilat ndalojnë kryerjen e operacioneve të panevojshme mjekësore  dhe trajtime të tjera jo terapeutike deri në kohën kur fëmijët interseks të jenë në gjendje të marrin pjesë në vendime;
  • të sigurohet që kurrikulat në të gjitha nivelet e arsimit, duke përfshirë marrëdhëniet gjithëpërfshirëse dhe edukimin seksual, të trajtojnë çështjet LGBTI në mënyrë të ndjeshme, të përshtatshme për moshën dhe të lehtë për t’u kuptuar;
  • të sigurohet që shërbimet e mbështetjes së viktimave, duke përfshirë linjat e ndihmës, sistemet e raportimit të incidenteve, shërbimet ligjore dhe të tjera të këshillimit dhe strehëzat e viktimave, të jenë në dispozicion për t’u marrë në mënyrë adekuate me viktimat LGBTI të diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes;
  • të sigurohet që, kur kryhet një krim kundër personave LGBTI, atyre që perceptohen të jenë LGBTI, ose personave që janë të lidhur me personat LGBTI, mundësia që ajo të jetë motivuar nga paragjykimi anti-LGBTI të hetohet që nga fillimi dhe të jetë pjesë integrale e hetimit.

Si përfundim, është e rëndësishme të theksohet se ndërsa ECRI miratoi një numër të Rekomandimeve të Përgjithshme të Politikave që adresojnë diskriminimin dhe racizmin në fusha të ndryshme dhe synojnë grupe të ndryshme të margjinalizuara, ky është rasti i parë në të cilin synon në mënyrë specifike jotolerancën dhe diskriminimin ndaj komunitetit LGBTI.