12 Gus Ekzaminimi post-mortem i një fëmije kundër vullnetit të prindërve nuk është në përputhje me Konventën
Në rastin Polat kundër Austrisë (kërkesa nr. 12886/16, 20.07.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) si dhe shkelje të Nenit 9 (liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me ekzaminimin post-mortem të foshnjes së kërkueses kundër vullnetit të saj dhe bindjeve të saj fetare, si dhe shkelje të Nenit 8 në lidhje me dështimin e autoriteteve për t’i zbuluar informata kërkueses rreth ekzaminimin post-mortem të të birit të saj.
Rasti kishte të bënte me një ekzaminim post-mortem të të birit të kërkueses i cili u bë pa vullnetin e saj. Në vitin 2006 kërkuesja mbeti shtatzënë. Mjekët treguan se gjasat janë që foshja të lindte me një paaftësia si rezultat i sindromës Prune-Belly. Ajo lindi para kohe në vitin 2007. I biri i saj, Y.M., vdiq nga gjakderdhja në tru dy ditë më vonë. Mjekët i kërkuan kërkueses dhe bashkëshortit të saj leje për të realizuar një ekzaminim post-mortem, për interes të shkencës. Ata refuzuan, meqë donin ta varrosnin fëmijën e tyre sipas besimeve të tyre islame, me ç’rast kërkohej që trupi të mos pritej. Mjeku që e trajtoi pacientin u tha se ekzaminimi gjithsesi duhej realizuar për të qartësuar arsyet e sakta të vdekjes së të birit të saj. Më 6 prill 2007 u realizua ekzaminimi post-mortem në Spitalin Rajonal Feldkirch dhe praktikisht të gjitha organet e brendshme u hoqën.
Gjykata përsëriti se sipas Konventës nuk kishte të drejtë absolute për të kundërshtuar ekzaminimin post-mortem. Ekzaminimi post-mortem i Y.M. u realizua sipas ligjit, gjegjësisht në bazë të Seksionit 25 të Ligjit për Spitalet dhe Seksionit 12(3) të Ligjit për Funeralet. Sipas atyre dispozitave, ekzaminimi post-mortem mund të kryhet kundër dëshirës së të afërmve në interes të shkencës dhe shëndetit publik, veçanërisht kur kishte dyshime diagnostikuese. Gjykata ishte e kënaqur që kishte interes legjitim për kryerjen e ekzaminimit.
Por, Gjykata deklaroi se pikëpamjet e kërkueses nuk ishin marrë parasysh kur ishte marrë ai vendim, qoftë nga stafi i spitalit ose nga gjykatat vendase. Gjykata vuri në dukje veçanërisht se shtetet zakonisht kanë diskrecion të gjerë në vlerësimin e ekuilibrit midis interesave private dhe publike. Konkretisht në lidhje me ekzaminimet post-mortem kundër vullnetit të familjes, ato duhej të kryheshin me respekt maksimal për të drejtat e anëtarëve të familjes.
Prandaj autoritetet nuk kishin arritur të balanconin interesat konkurruese të përfshira, përkatësisht detyrimin e shtetit për të mbrojtur shëndetin publik dhe të drejtat e kërkueses sipas Neneve 8 dhe 9. Gjykata arriti në përfundimin se vendimi për të kryer ekzaminimin post-mortem të fëmijës së kërkueses kundër vullnetit të saj dhe kundër bindjeve të saj fetare kishte qenë ndërhyrje në “jetën familjare” të saj dhe të drejtën e saj për të manifestuar fenë e saj që nuk ishte e justifikueshme, duke çuar në shkelje të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut