18 Tet Është shkelur e drejta e privatësisë e të mbijetuarve të kampit të përqendrimit Mathausen
Në rastin Lewit kundër Austrisë (kërkesa nr. 4782/18, 10.10.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me një ankesë të të mbijetuarit të Holokaustit, tani 96-vjeçar, se për të kishte shpifur një gazetë e krahut të djathtë dhe se gjykatat nuk e kanë mbrojtur të drejtën e tij për reputacion.
Në verën e vitit 2015 revista Aula publikoi një artikull ku njerëzit e çliruar nga kampi i përqendrimit Mauthausen përshkruheshin si “vrasës masivë”, “kriminelë” dhe “kolerë”. Autoritetet nisën hetime penale kundër autorit të artikullit, por ato përfundimisht u pushuan. Në numrin e shkurtit të vitit 2016, i njëjti autor raportoi për pushimin e hetimeve penale dhe përsëriti me fjalë të plota deklaratat e mëparshme. Z. Lewit, së bashku me nëntë të mbijetuar të tjerë, të cilët ishin burgosur në kampe përqendrimi dhe u çliruan në vitin 1945, sollën një padi sipas Ligjit për Media (Mediengesetz) kundër revistës Aula dhe autorit.
Gjykata konstatoi se gjykatat austriake nuk kishin arritur të mbronin të drejtat e kërkuesit sepse ata kurrë nuk kishin trajtuar çështjen thelbësore të kërkesës së tij: që për të kishte shpifur një artikull i cili kishte përdorur terma si “vrasës masivë”, “kriminelë” dhe “kolerë ”për të përshkruar njerëz si ai, që ishin çliruar nga kompleksi i kampit të përqendrimit Mauthausen në vitin 1945. Në vend të kësaj, gjykatat kishin konkluduar se ai nuk kishte kurrfarë baze ta çonte çështjen përpara, pasi numri i njerëzve të çliruar kishte qenë aq i madh sa nuk mund të ishte prekur personalisht nga deklaratat në të cilat ai nuk ishte përmendur. Por, gjykatat nuk e kishin marrë parasysh faktin se deri në kohën e publikimit të artikullit kishte shumë më pak të mbijetuar që ende ishin gjallë. Gjykatat gjithashtu kishin konkluduar se artikulli thjesht kishte përsëritur deklaratat e bëra në një pjesë të mëparshme me të njëjtën temë dhe kështu fjalët nuk kishin asnjë kuptim të veçantë shpifës.
Gjykata nuk u bind nga konstatimet se z. Lewit dhe pretenduesit e tjerë nuk mund të ishin prekur personalisht nga neni i dytë duke pasur parasysh se konteksti i dy pjesëve kishte qenë shumë i ndryshëm, pasi artikulli i vitit 2016 ishte thjesht një përshkrim i hetimit paraprak në artikullin e vitit 2015 dhe që deklaratat në pjesën e dytë nuk kishin asnjë kuptim të veçantë shpifës. Në përgjithësi, mungesa e një ekzaminimi të duhur nga gjykatat lidhur me pretendimet për shpifje nga ana e kërkuesit kishte çuar në shkelje të të drejtave të tij të privatësisë.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut