Izolimi i familjes në zonën tranzite të Röszke nuk është në përputhje me Konventën

Në rastin W.O. dhe të tjerët kundër Hungarisë (kërkesa nr. 36896/18, 25.08.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 3 (ndalimi i torturës) dhe të Nenit 5 §§ 1 dhe 4 (e drejta e personit për liri dhe siguri) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti ka të bëjë me izolimin e familjes kërkuese në zonën tranzite hungareze. Kërkuesi i parë dhe i dytë janë nëna dhe babai dhe kërkuesi i tretë dhe i katërt janë fëmijët e tyre, të cilët ishin tre dhe një vjeç në kohën e ngjarjeve në fjalë. Familja qëndroi në zonën tranzite Röszke në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë nga 23 prilli deri më 19 nëntor 2018, përveç kohës së caktuar që kaluan në departamentin e deportimit. Ata ishin vendosur në një kontejner me një shtrat të ndarë dhe një garderobë për secilin prej tyre. Përveç përshkrimit të kushteve të përgjithshme, kërkuesit paraqitën se kërkuesi i parë dhe i tretë kishin vuajtur nga probleme mjekësore, ndër të tjera, lidhur me abuzimin e tyre të mëparshëm famlijar dhe shqetësimin për shkak të gjendjes së tyre të jetesës. Ata vazhdimisht kërkuan të transferoheshin në një objekt të hapur dhe të merrnin ndihmën e duhur. Kërkuesi i parë u takua me një psikolog në pesëmbëdhjetë raste; megjithatë, ndihma konsiderohet se ishte e papërshtatëshme dhe e kryer në një gjuhë që ajo nuk e kuptonte. 

Gjykata vërejti se në rastin e R.R. dhe të tjerëve (nr. 36037/17, 02.04.2021), i cili është i ngjashëm me këtë, Gjykata gjeti një shkelje të kësaj dispozite për shkak të kushteve të cilave u ishin nënshtruar fëmijët dhe nëna kërkuese gjatë qëndrimit të tyre pothuajse katërmujor në zonën tranzite të Röszke.

Për sa u takon fëmijëve të kërkuesve, të cilët ishin një dhe tre vjeç gjatë kohës në fjalë, Gjykata konsideroi se, duke marrë parasysh kushtet dhe ndalesat gjatë izolimit, kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në zonën e tranzitit në Röszke duhet t’u ketë shkaktuar vuajtje psikologjike dhe pasoja të dëmshme për mirëqenien e tyre.

Sa i përket kërkuesve të rritur, Gjykata gjeti se ata, së bashku me fëmijët e tyre, qëndruan në zonën e tranzitit përgjatë verës së vitit 2018. Duke pasur parasysh madhësinë e kontejnerit, mungesën e ventilimit të duhur dhe hapësirën e kufizuar të jashtme, e cila për më tepër i ishte e ekspozuar diellit, Gjykata pranoi se nxehtësia gjatë verës përkeqësoi gjendjen e tyre dhe prandaj është e rëndësishme për vlerësimin sipas Nenit në fjalë. Më tej, Gjykata gjeti se kërkuesja e parë ishte veçanërisht e rrezikuar. Duke patur parasysh këtë, Gjykata konsideroi se kushtet e izolimit, kufizimet dhe pasiguria lidhur me to duhet t’i kenë shkaktuar kërkueses së parë vuajtje të konsiderueshme psikologjike, për të cilat autoritetet duhet të kenë qenë në dijeni. Gjykata tutje vuri në dukje se ajo kishte qenë e ekspozuar ndaj këtyre kushteve për gati shtatë muaj.

Në lidhje me kërkuesin e dytë, Gjykata, më 2 nëntor 2018, vendosi t’i tregojë Qeverisë, sipas rregullit 39 të Rregullave të Gjykatës, t’i sigurojë atij ushqim gjatë qëndrimit të tij në seksionin e dëbimit. Nuk është kundërshtuar nga palët se autoritetet nuk i siguruan atij ushqim ndërsa mbahej atje. Edhe pse duket se ka disa paqartësi në lidhje me kohëzgjatjen e qëndrimit të kërkuesve në seksionin e dëbimit, Gjykata duke pasur parasysh llogaritjen e detajuar të dhënë nga kërkuesit, e cila nuk u kundërshtua nga ndonjë provë nga Qeveria, gjeti se ata ishin mbajtur atje mes 31 tetorit dhe 5 nëntorit 2018. Gjyakta konsideroi se autoritetet nuk arritën të kenë konsideratën e duhur për gjendjen e varësisë në të cilën kërkuesi i dytë jetoi gjatë kësaj periudhe. Duke pasur parasysh të gjitha konsideratat e mësipërme, Gjykata konsideron se situata e ankimuar i nënshtroi kërkuesit ndaj një trajtimi i cili tejkaloi pragun e ashpërsisë së kërkuar për të aplikuar Nenin 3 të Konventës. Prandaj, ka pasur shkelje të kësaj dispozite.

Ankesa e kërkuesve se ata ishin mbyllur në zonën tranzite në shkelje të Nenit 5 §§ 1 dhe 4 të Konventës është e ngjashme me atë të shqyrtuar në rastin R.R. dhe të tjerët, ku Gjykata gjeti se qëndrimi i kërkuesve për pothuajse katër muaj në zonën tranzite ishte privim de facto i lirisë. Gjykata konkludoi se ankesa e kërkuesve zbulon shkelje të Nenit 5 §§ 1 dhe 4 të Konventës në dritë të gjetjeve të saj në rastin R.R. dhe të tjerët.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut