13 Mar Kërkesat lidhur me zvogëlimin e pensioneve të pleqërisë në Serbi janë të papranueshme
Në rastin Žegarac dhe të tjerët kundër Serbisë (kërkesa nr. 54805/15 dhe 10 kërkesa të tjera, (09.02.2023) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vendosi njëzëri t’i shpallë tetë nga kërkesat të papranueshme.
Rasti kryesisht lidhej me 11 kërkesat e kërkuesve se pagesat e pensioneve të pleqërisë ishin zvogëluara nga nëntori 2014 deri në shtator të vitit 2019. Ky zvogëlim bazohej në ndryshimet legjislative të paraqitura nga qeveria si pjesë e një grupi më të gjerë masash shtrënguese. Legjislacioni u shfuqizua pasi u konsiderua se borxhi publik ishte zvogëluar mjaftueshëm.
Gjykata ritheksoi se Neni 1 i Protokollit nr. 1 (mbrojtja e pronës) nuk garantonte, si të tillë, asnjë të drejtë për ndonjë pension me shumë të caktuar. Kërkuesit, megjithatë, ishin përfitues të njohur zyrtarisht të skemës së pensioneve statutore të shtetit dhe nuk kishte kundërshtime se zvogëlimi i pensioneve të tyre kishte përbërë ndërhyrje në të drejtën e tyre për gëzimin paqësor të pasurive të tyre.
Kjo ndërhyrje kishte pasur bazë ligjore, përkatësisht në Ligjin e Zvogëlimit të Pensioneve, i cili ishte interpretuar në mënyrë gjithëpërfshirëse nga Gjykata Kushtetuese në arsyetimin të cilin kjo Gjykatë e gjeti të pranueshëm. Tutje, legjislacioni ishte publikuar në Gazetën Zyrtare, duke u mundësuar kërkuesve të parashikonin pasojat e tij për pensionet e tyre.
Gjykata vendosi në veçanti se zvogëlimi i pensioneve kishte qenë i kufizuar për përfituesit e pensioneve më të larta, kishte qenë i përkohshëm – që zgjaste diku më pak se katër vjet – dhe metoda e përdorur për të llogaritur atë nuk kishte qenë e paarsyeshme, duke shkaktuar një zvogëlim me rritje graduale për pensionet që tejkalojnë 25,000 dinarë. Gjithashtu, asnjëri nga kërkuesit nuk kishte dëshmuar se ata kishin qenë në rrezik të mos kishin mjete të mjaftueshme për të jetuar ose se kushtet e tyre të jetesës ishin përkeqësuar nën pragun e jetesës.
Prandaj, autoritetet kishin arritur ekuilibër të drejtë mes sigurimit të stabilitetit financiar të sistemit të pensioneve – i cili ishte në interes të përgjithshëm të publikut – dhe mbrojtjes së të drejtave pronësore të kërkuesve që të parandaloheshin nga mbajtja e një barre individuale dhe të tepruar.
Gjykata gjithashtu vendosi njëzëri t’i largojë tre kërkesat e tjera nga lista e vet e rasteve.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut